Basketboll

Prishtina në finalen e madhe të Superkupës, triumfon ndaj Yllit

Sigal Prishtina ka mundur Golden Eagle Yllin me rezultat 82:75 (19:18, 20:14, 19:17, 24:26), duke u kualifikuar në finale të Superkupës së Kosovës në basketboll.

Prishtinasit e nisën ndeshjen më mirë dhe që në fillim krijuan epërsi prej nëntë pikësh, 13:4, por më pas u rikthyen therandasit ku kaluan në epërsi 17:18, ndërsa çereku i parë përfundon 19:18. Bardhekaltrit ishin më të mirë në periudhën e dytë, duke pasur epërsi konstante dhe në fund u shkëputën për  të shkuar në pushim me shifrat 39:32.

Kryeqytetasit vazhduan me lojë të mirë dhe në periodën e tretë arritën epërsinë më të lartë, që shkoi deri në 14 pikë, 48:34, ndërsa më pas Ylli u këndell paksa, kurse rezultati pas 30 minutash ishte 58:49. Ylli u mundua të rikthehet në dhjetë minutat e fundit, megjithatë përveç ngushtimit të epërsisë, nuk arritën të bëjnë më shumë dhe Sigal Prishtina triumfoi 82:75, duke u kualifikuar në finale ku do të ndeshet me fituesin e ndeshjes Trepça – Bashkimi, që zhvillohet nga ora 20:00.

Te Sigal Prishtina më i miri ishte Dardan Berisha me 28 pikë e pesë asistime, kurse te Golden Eagle Ylli më i miri ishte Rashun Davis me 31 pikë, pesë kërcime dhe pesë asistime.

Komentet janë të mbyllura.