Basketboll

Sigal Prishtina fiton Superkupën e Kosovës

Prishtinë(AsistiOnline) – Sigal Prishtina është fituese e Superkupës së Kosovës për këtë edicion.

Ekipi prishtinas mposhti në finale skuadrën e Trepçës me rezultat 73-54.

Pjesa e parë e ndeshjes ishte tejet e ngushtë me vendasit që fituan periodën e parë ngushtë (13-8), derisa çereku i dytë u zhvillua baraz (15-15) dhe vendasit shkuan në pushim mes pjesëve me 5 pikë diferencë.

Pjesa e dytë e ndeshjes u vonua tej mase, për shkak të përplasjes mes dy tifozërive të pranishme në sallë të cilat filluan të hedhin gjësende në parket ndaj njëra tjetrës.

Pas largimit të publikut nga palestra, filloi pjesa e dytë, të cilën e fitoi Prishtina në të dy çerekët (24-14, 21-17) të cilët i shërbyen për ta fituar ndeshjen.

Derrick Wilson me 18 pikë, Dustin Thomas me 16, Lejson Zeqiri me 12 e Jetmir Zeqiri me 10 sosh, ishin lojtarët më të dalluar të kryeqytetasve në këtë fitore.

Te Trepça ishin të pamjaftueshëm për fitore, Drilon Hajrizi me 12 pikë, si dhe Erjon Kastrati e Ken Brown me nga 11 secili.

Prishtina me këtë fitore, triumfoi në Superkupën e Kosovës.

/AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.