Peja mobilizohet fuqishëm në periodën e fundit dhe fiton ndaj Rahovecit
Prishtinë(AsistiOnline) – Skuadra e Pejës është rikthyer te fitoret në Superligën e Kosovës, pas humbjes nga Ylli në mesjavë.
Verdhezinjët triumfuan në udhëtim te Rahoveci edhe pse më vështirë se që kishin pritur, megjithatë arritën fitore të merituar me rezultatin 78-94.
Pjesa e parë ishte fantastike për skuadrën ‘vreshtare’ që fitoi dy periodat e para (29-25, 22-18) dhe shkoi në pushim me avantazh prej 8 pikëve (51-43).
Në pjesën e dytë, Peja e filloi këndelljen duke e fituar fillimisht çerekun e tretë 11-21 me çka e nisi periodën finale me 2 pikë avantazh (62-64), me mobilizim të madh, pejanët vazhduan edhe në çerekun e katërt duke e fituar atë (16-30) dhe kështu radhitën fitoren e 11-të sezonale.
Arian Qallaku e Isiah Umipig me nga 18 pikë secili, ishin dy lojtarët më të dalluar te Peja sonte, gjersa u ndihmuan edhe nga Arti Hajdari me 17, Rodney Purvis me 13 e Jalen Tate me 10 pikë.
Te Rahoveci nuk mjaftuan për fitore, Jahii Carson me 18 pikë e Visar Ejupi me 12 sosh.
Pas 1 xhirove, Peja ka 11 fitore e 3 humbje dhe vazhdon ti prijë elitës kosovare e Rahoveci sonte e pësoi disfatën e 12-të, karshi 2 fitoreve.
Në xhiron e ardhshme, Peja i shkon Sigal Prishtinës e pret Golden Eagle Yllin.
/AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.