Ekskluzive: Referë të huaj për Superligë?
Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu e ka mohuar një gjë të tillë
Prishtinë(AsistiOnline) – Nga janari i vitit 2023 mund të ndodh që ndeshjet e Prince Caffe Superligës së Kosovës t’i gjykojnë referët e huaj. Një mundësi e tillë reale vjen si rezultat i kërkesave nga disa prej klubeve të elitës, ka mësuar AsistiOnline.com nga burime jo zyrtare brenda klubeve.
Sipas burimeve, angazhimi i referëve të huaj në Superligë mund të ndodh për shkak të pakënaqësisë së klubeve me kualitetin e referimit i cili sipas klubeve, nuk është në nivel të duhur. Të njëjtit pretendojnë se gjykimi në Superligë është në shpërputhje me kualitetin e lojtarëve dhe trajnerëve që janë të angazhuar në elitën e basketbollit kosovar dhe se në shumë raste, janë arsye të tensionimit të ndeshjeve për shkak të vendimeve diskutabile dhe sipas klubeve, të gabueshme që pastaj po rezultojnë me reagime të zyrtarëve dhe kjo po pasqyrohet edhe te publiku.
Kritika për gjykim ka pasur edhe viteve të kaluara mirëpo, sivjet ato kanë kulmuar.
Një prej arsyeve të mundshme është edhe largimi i një numri të referëve me përvojë të cilët, si arsye kanë përmendur pakënaqësitë me delegime ndërsa disa prej tyre kanë emigruar jashtë vendit. Kjo shihet si një prej arsyeve që kanë ndikuar direkt në cilësinë e gjykimit të ndeshjeve pasi aktualisht kemi një gjeneratë më të re të gjyqtarëve edhe pse kritikat kryesisht po i adresohen atyre më me përvojë.
Gjithashtu, AsistiOnline.com ka mësuar se ekziston mundësia reale që një refer i rangut më të lartë të FIBA-së dhe me famë botëtrore (emri i njohur për AsistiOnline.com) të vjen në Kosovë jo vetëm për të gjykuar ndeshjet por edhe për të mbajtur ligjërime dhe trajnime të vazhdueshme, së bashku edhe me pjesën praktike të analizës së ndeshjeve dhe e gjithë kjo në funksion të ngritjes së nivelit të gjykimit në basketboll.
Angazhimi i referëve të huaj me rang të lartë të FIBA-së mund të jetë një zgjidhje emergjente me efekt të dyfishtë: ngritjen e kualitetit të gjykimit dhe uljen e tensioneve në ndeshjet e Superligës si dhe shkollimin e referëve kosovarë të cilët përveç pjesëmarrjes në ligjerata do të kenë edhe mundësi të fitojnë përvojë të çmueshme duke referuar përkrahë referëve të rangut të lartë të FIBA-së. Si thonë “dardha piqet duke e parë dardhën”
Mirëpo, një gjë të tillë e ka mohuar Arben Fetahu, kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës duke pohuar se kanë pranuar ankesë formale nga vetëm një klub i Superligës lidhur me referim mirëpo në përgjigjen e tij për AsistiOnline.com ai nuk pajtohet me konstatimin se kualiteti i lojës së klubeve është mbi nivelin e referimit
“Jemi te vetëdijshëm që një klub ka shfaqur edhe formalisht pakënaqësi lidhur me cilësinë e referimit në ndeshjet e veta por FBK vazhdon të konsideroj që niveli i referimit në ndeshjet tona është korrekt e mbase shpesh edhe mbi nivelin e basketbollit të dëshmuar në parket.
Vërejtje minore ka pasur edhe nga klube tjera dhe nga vet organet e FBK, duke qenë se gabimet e referëve për nga natyra përfliten dhe analizohen shumë më shumë se sa të akterëve tjerë në fushën e lojës, por jo rrallë ndodh që nga të gjithë akterët aktiv në një ndeshje të basketbollit (përfshirë lojtarët e trajnerët) referët të gabojne më së paku.
Për më tepër, me përjashtim të një ndeshjeje të këtij stinori, referët nuk kanë bërë asnjë gabim material i cili ka mundur të ketë ndikim në rezultatin përfundimtar, e edhe në atë ndeshje gabimi nuk është bërë me çfarëdo tendence por nga pakujdesia.
Natyrisht se të gjitha vërejtjet e qëndrueshme sa i përket cilësisë së referimit FBK i trajton me shumë seriozitet dhe ndaj të gjithë referëve merren masa përkatëse disiplinore, të cilat këtë vit janë bërë edhe më rigoroze, por në këtë moment nuk është në plan inkuadrimi i referëve të huaj në ndeshjet e Superligës apo në cilindo nivel tjetër të garimit.
FBK dhe Shoqata e Referëve po vazhdojnë të bëjnë gjithçka që është në mundësitë e tyre për të ngritur nivelin dhe kapacitetet e referëve te vet, përfshirë këtu edhe përfshirjën për herë të parë të një numri rekord të referëve ndërkombëtar për ciklin e ardhshëm (pesë sish) dhe organizimin e klinikave dhe seancave edukuese zyrtare të FIBA në vendin tonë” përfundoi kryetari i FBK-së, Fetahu.
/AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.