Basketboll

Ylli e fiton thellë derbin me Prishtinën, mbyll vitin me seri perfekte

Prishtinë(AsistiOnline) – Kampioni aktual i Kosovës, Golden Eagle Ylli e ka mbyllur në mënyrën më të mirë të mundshme vitin 2022.

Skuadra therandase ka triumfuar në shtëpi ndaj Sigal Prishtinës me rezultat 71-51.

Pjesa e parë e sfidës ishte shumë më realizuese me vendasit që fituan dy periodat e para, por goxha ngushtë (14-10, 18-16) dhe shkuan në pushim me avantazh 32-26.

Në pjesën e dytë, Ylli e filloi furishëm çerekun e tretë dhe e mbylli atë (20-9), në periodën e fundit dhe vendimtare, Ylli vazhdoi dominimin (19-16) dhe shënoi fitoren e dhjetë me radhë.

Eshtë për tu çuditur fakti se sonte te Ylli vetëm Bashir Ahmed realizoi pikë dyshifrore ndaj ish-ekipit, duke shënuar 21 pikë, gjersa Malcolm Armstead kishte 9 pikë, Rashun Davis 8 dhe Valon Bunjaku 7 pikë.

Te Prishtina sonte u dalluan, Dustin Thomas me 17 pikë e Derrick Wilson me 11 sosh.

Pas 16 xhirove, Ylli vazhdon ndjekjen e kreut me fitoren e 10-të rrsht, karshi 4 humbjeve e 2 ndeshje më pak të zhvilluara. Ndërsa, Prishtina pësoi sonte disfatën e 5-të, karshi 10 fitoreve.

Në xhiron e ardhshme e cila luhet me 7/8 janar sipas kalendarit zyrtar të garave, Ylli i shkon Pejës e Prishtina e pret Vëllaznimin.

/AsistiOnline.com/

 

Komentet janë të mbyllura.