Pesëshja më e mirë e javës dhe MVP nga kjo xhiro e Superligës së Kosovës
Prishtinë(AsistiOnline) – Ju sjellim pesëshen më të mirë dhe MVP-në nga xhiro e 17-të e Superligës së Kosovës e cila u zhvillua gjatë vikendit..
1. Plejmejkeri i javës që 17-të në Prince Caffe Superligë shpallet Curtis Jones i Bashkimit, i cili ndonëse u inkuadrua si rezervistë pati paraqitje të shkëlqyer në derbin e Prizrenit. Jones shënoi 16 pikë prej të cilave dy treshe teksa dhuroi katër asistime pa humbur asnjë top, duke rrëmbyer edhe 3 asiste për çka u notua me indeksin +16 më të lartin për një pllejmejker këtë javë.
2. Në pozitën e fundorit vjen Rashun Davis i Golden Eagle Yllit, i cili ishte më shumë se sa fantastik në derbin e javës mes Pejës dhe Yllit, duke ndihmuar këta të fundit që të arrijnë edhe fitoren e 11-të radhazi. Ylli amerikan luajti me 24 pikë prej të cilave plotë 15 i realizoi vetëm në çerekun e parë ku bëri dallimin e madh teksa shtoi edhe 7 asiste, 3 kërcime dhe vodhi dy topa dhe me indeksin prej +28 shpallet fundori më i mirë në xhiron e 17-të.
3. Pozitën e alosë për këtë javë e zë Lejson Zeqiri që ndihmoi Sigal Prishtinën në fitoren e radhës ndaj Vëllaznimit, pasi ishte fare afër të kompletonte double-double duke mbyllur mbrëmjen me 11 pikë dhe 9 asistime, por sikur të mos mjaftonin këto, ai shtoi edhe 6 kërcime, 2 bllokada dhe vodhi një top e me këtë paraqitje të gjithanshme mori indeksin prej +24 më të lartin në pozitën e alos.
4. Edhe pozitën e alo-qendrës mbetemi tek Sigal Prishtina, aty ku paraqitje mbresëlënëse dhuroi edhe i përhershmi Dustin Thomas, i cili për 23 minuta lojë ndaj Vëllaznimit shënoi 25 pikë me 75% efikasitet teksa në total pati edhe 4 kërcime dhe 2 asistime duke merituar indeksin prej +23 dhe duke u shpallur kështu alo qendra më e mirë e ndeshjeve të fundjavës.
5. Kurse 5shen e javës e kompleton qendra e Trepçës, Andrew Gordoni që dominoi totalisht nën kosh në ndeshjen mes Rahovecit dhe Trepçës dhe qysh herët i siguroi fitoren ekipit të tij sepse në 25 minuta lojë shënoi 22 pikë me saktësi prej 83% në gjuajtje dhe arriti 12 kërcime, 1 asistim e një bllokad, duke u notuar me indeksin prej +31 që ishte më i larti në Prince Caffe Superligë për javën e 17-të kampionale.
MVP NGA XHIRO 17
ANDREW GORDON (TREPÇA)
Dilema se kush ishte MVP i javës së 17-të dhe njëkohësisht i pari për vitin 2023 nuk ishte edhe aq e lehtë, por në fund pas paraqitjes fenomenale dhe indeksit fantastik prej +31, ky epitet shkon tek qendra e Trepçës, Andrew Gordoni që siç e thamë edhe më herët arriti double-double prej 22 pikë dhe 12 kërcime në vetëm 25 minuta sa luajti përballë Rahovecit dhe ndihmoi Trepçën që të arrijë fitore të lehtë në “Mizahir Isma”.
/AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.