Basketboll

Pesëshja më e mirë dhe MVP nga xhiro e 20-të e Superligës së Kosovës

Prishtinë(AsistiOnline) – Ju sjellim pesëshen më të mirë të xhiros së 20-të që u luajt gjatë vikendit në elitën e basketbollit kosovar.

1. Plejmejkeri më i mirë, këtë javë shpallet Adam Grant i Ponte Prizrenit i cili përkundër disfatës pati lojë të mrekullueshme dhe ishte organizatori më i mirë me 21 pikë, prej tyre 5 treshe, duke shtuar 8 kërcime e 3 asistime, pa e humbur asnjë top të vetëm. Ai ishte gati i pagabueshëm për dy pikë dhe 2 nga 3 tentimet nga vija e gjuajtjeve të lira ishte perfekt dhe shënoi të dyja tentimet, kurse për treshe tentoi 8 herë dhe qëlloi 5 duke merituar indeksin e shkëlqyeshëm prej plus 22, më të lartin për një plejmejker në këtë javë.

2. Fundori më i mirë realizues i xhiros, shpallet Jordan Harris i Vëllaznimit i cili hyri në histori të basketbollit kosovar me 10 treshet e tij për fitoren shumë të rëndësishme kundër rivalit direkt Pontes. Harris e mbylli lojën me 35 pikë dhe sikurse thamë, shënoi 10 treshe nga 13 tentime me një efikasitet të hatashëm prej 76% duke shtuar edhe 6 asistime e 4 kërcime dhe për këtë lojë fe-no-menale, meritoi indeksin kozmik prej plus 37.

3. Pas një kohe të gjatë në pesëshen e javës, na kthehet Burim Zekiqi si alo më e mirë javës. Burim Zekiqi ishte fantastik dhe i pandalshëm në fitoren e Vëllaznimit ndaj Ponte Prizrenit, duke shënuar 15 pikë dhe të gjitha erdhën nga 5 treshe, kurse është interesant se nuk pati asnjë tentim për dyshe apo nga gjuajtjet e lira dhe shtoi nga 2 kërcime, asistime dhe topa të vjedhur pa e humbur asnjë dhe me këtë e meritoi epitetin e alos më të mirë të xhiros 20.

4. Në pozitën e alo-qendrës dominimin e vazhdon i porsaardhuri te Trepça: Will Daniels. Pas shfaqjes fantastike kundër Pejës, Daniels shkëlqeu edhe në derbi kundër Yllit, ku përpak nuk realizoi double double dhe ndeshjen e mbylli me 15 pikë e 9 kërcime, gjersa shtoi edhe 3 asistime e 2 topa të vjedhur dhe për këtë u notua me indeksin prej plus 21.

5. Dhe në pozitën e qendrës, këtë javë pas një kohe të gjatë na kthehet gjiganti i Trepçës, Andrew Gordon. Gordoni ishte fantastik kundër Yllit dhe dominoi absolutisht duke qenë gati perfekt nga loja, pasi shënoi 9 nga 10 tentimet për dy pikë, duke përfshirë ngulitjen triumfale në sekondat e fundit dhe me efikasitet prej 90% nga loja ishte i jashtëzakonshëm. Gordon ishte gati perfekt edhe nga gjuajtjet e lira, pasi realizoi 4 nga 5 tentimet, ndërsa shtoi edhe 6 kërcime, 2 asistime dhe shpërndau 3 bllokada për indeksin fenomenal prej plus 28.

MVP I XHIROS 20 – JORDAN HARRIS (VËLLAZNIMI)

Adhurues të basketbollit, këtë javë, pa asnjë dilemë fare, MVP shpallet Jordan Harris i Vëllaznimit i cili me 10 treshet e tij hyri në histori. Harris futet në mesin e top 5 snajperistave më të mirë të gjitha kohëve në basketbollin e pavarur kosovar, pas Carlos Morbanit (ish lojtarit të Pejës) dhe Kujtim Lepajës (ish lojtarit të Kolegjit Eurosport) të cilët në pranverën e vitit 2009, kishin shënuar secili nga 14 treshe në një ndeshje, kurse vendin e tretë e mban, Elyjah Clark i Yllit me 11 sosh dhe nga 10 tashmë kanë shënuar Samiri, Gjeqaj dhe Harris.

Për ta bërë këtë, Harrisit i mjaftuan 13 tentime me një efikasitet kozmik prej 76% dhe sa i përket kësaj është larg më i miri. Veç 35 pikëve, Jordan Harris pati edhe 6 asistime, 4 kërcime dhe me indeksin fenomenal prej plus 37 e fiton epitetin e MVP-së së Javës në ASIST.

/AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.