Basketboll

Peja rikthehet te fitoret, triumfon ngushtë ndaj Rahovecit

Peja me mjaft vështirësi shënoi fitore ndaj Rahovecit me shifrat 82:76 (25:24, 17:23, 19:14, 21:15), në xhiron e 21-të të Prince Caffe Superligës.

Çereku i parë ishte i barabartë, ku herë njëra skuadër kalonte në epërsi e herë tjetra, pa arritur të shkëputen në rezultat dhe kjo pjesë përfundon 25:24. Edhe periudha e dytë ishte kryesisht e barabartë deri pranë rezultatit 42:38, kur mysafirët me një seri prej 0:9, shkuan në pushim me rezultat 42:49.

Edhe perioda e tretë ishte e ngjashme, me rahovecasit që kishin epërsi deri në tetë pikë, por me verdhezinjtë që u rikthyen shpejt, ku rezultati pas 30 minutash ishte 61:61, duke bërë që gjithçka të vendoset në dhjetë minutat e fundit. Por, verdhezinjtë u treguan më të vëmendshëm në momentet vendimtare, edhe pse Vreshtarët luftuan deri në fund, por fitorja i takoi Pejës 82:76.

Te Peja më të mirët ishin Arti Hajdari me 30 pikë, pesë kërcime e katër asistime dhe Jalen Tate me 24 pikë, nëntë kërcime dhe gjashtë asistime, kurse te Rahoveci më i miri ishte Jack Pagenkopf me 29 pikë e shtatë kërcime.

Peja ka 14 fitore e shtatë humbje, ndërsa Rahoveci mbetet në vendin e fundit me dy fitore e 19 humbje.

Komentet janë të mbyllura.