Basketboll

Prishtina publikon statistikat, mbrojtje e çeliktë me ardhjen e Kandemirit

Prishtinë(AsistiOnline) – Sigal Prishtina momentalisht është lidere e Superligës së Kosovës me 16 fitore e 5 humbje në total.

Në fakt, Sigal Prishtina dhe Golden Eagle Ylli, kanë bilanc të njejtë me nga 16 fitore e 5 humbje, por ekipi kryeqytetas aktualisht ka koshdiferencë prej 230 koshave e therandasit kanë 143 sosh, andaj kjo ju jep atyre përparësi momentale, shkruan AsistiOnline.com

Me ardhjen e trajnerit turk, Ahmet Kandemir te Prishtina kanë radhitur fitoret duke i realizuar plotë 6 të tilla e duke mos e përjetuar fare aromën e humbjes në garat vendore.

Jo vetëm fitoret, Prishtina me ardhjen e Kandes këtë po e bën në mënyrë të veçantë pasi ka një mbrojtje të çeliktë dhe po pranon vetëm 54.5 pikë për ndeshje.

Bazuar në përgjithësi, me 69.2 pikë të pranuara për ndeshje këtë sezon, skuadra e Prishtinës ka mbrojtjen më të mirë në Superligë, ku pas 21 xhirove ka pranuar 230 pikë më pak se që ka shënuar.

Mbrojtja, nuk është historia e vetme pozitive e Prishtinës sivjet, bardhekaltërit kanë një efikasitet tejet të mirë edhe në sulm, pasi me 80.1 pikë të shënuara për ndeshje këtë sezon, kanë mesataren më të lartë të pikëve për ndeshje në Superligën e Kosovës, ku pas 21 xhirove prijnë me 1683 pikë të shënuara. Koshdallimi mesatar i Prishtinës për ndeshje është +10.9 pikë e në vitin 2023 mesatarja e koshdallimit është +26.8 pikë.

/AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.