Basketboll

RAPORT SPECIAL: PRISHTINA FITON DRAMËN NDAJ YLLIT PËR EL CLASICON ME TREPÇËN NË FINALE 

FINAL 8 KUPA E KOSOVËS 2023 (SIGAL PRISHTINA - GOLDEN EAGLE YLLI 80:76)

Sigal Prishtina e fitoi dramën ndaj Golden Eagle Yllit me rezultat të ngushtë 80:76 për të kaluar në finale ku e pret fituesja Trepça e cila e mbron trofeun e fituar vitin e kaluar.

Ishte kjo një betejë fantastike e dy strategëve, Kandemirit dhe Beqiragiqit dhe ndeshje me dy fytyra plotësisht të kundërta.

Pjesa e parë i takoi plotësisht Prishtinës e cila nisi duelin me seri prej 14-3 dhe çerekun e parë e mbylli me plus prej 10 pikëve (24:14) ndërkohë në të dytin përmes tresheve të Dardan Berishës (35:35 dhe 38:27) dhe duke dominuar nën kosha dhe me mbrojtje agresive detyroi Yllin të humbas 5 topa për të krijuar maksimum prej 17 pikëve epërsi në sekondat e fundit përmes Jan Palokajt (46:29)

Në vazhdim situata ndryshoi plotësisht.

Therandasit u kthyen dukshëm më të koncentruar dhe deri në fund humbën vetëm edhe 2 topa kurse me mbrojtje shumë më agresive dhe me presionin e bërë detyruan prishtinasit të humbin hiq më pak se 17 topa në total duke i ndëshkuar me kundërsulme të shpejta.

Ishte Shirko ai i cili shënoi 9 pikë rresht (46:32 dhe 48:40) për të nis serinë të cilën e vazhdoi kapiteni fantastik Gëzim Morina me treshe (48:43) para se Rashaun Davis të shënonte nga ky depërtim (48:45) për ta mbyll serinë fantastike prej 16-2 në tre minutat e para dhe afronte rezultatin në vetëm 3 pikë.

Megjithatë, kur situata nisi të komplikohej, në skenë për prishtinas sërish doli kapiteni Dardan Berisha me dy treshet e tij (51:45 dhe 56:50) kurse serinë e vazhduan Dustin Thomas (61:50) dhe Derick Wilson (64:54) i cili me gjashtë pikë rresht në 90 sekondat e fundit (66:54) riktheu epërsinë prej 13 pikëve dhe qetësinë për ekpin e tij para çerekut vendimtar (67:54).

Por, kampionët aktual nuk do të ishin ata që janë sikur të dorëzoheshin dhe çerekun e katërt e vazhduan me mbrojtje edhe më agresive dhe duke punuar me durim për ta zvogëluar në mënyrë konstante disavantazhin.

Në fakt, në 7 minuta e 20 sekondat e para, Ylli i lejoj Prishtinës vetëm 4 pikë dhe realizoi 17 për ta barazuar rezultatin dhe shndërruar kte gjysmëfinale në dramë fenomenale.

Kapiteni Gëzim Morina me horok (68:56) ishte ai i cili e nisi serinë të cilën e vazhduan me dy treshe rresht Washpun (68:59) dhe Davis (68:62) para se Washpun të realizonte kosh faull dhe gjuajten lirë (71:68 – 71:69) dhe ta përmbyllte kte seri të stuhishme me depërtim për barazim rezultati në 71 me 71 kur kishin mbetur edhe 2 minuta e 40 sekonda lojë.

Në këtë çast drama arriti maksimumin dhe ndeshja e cila në fund të pjesës së parë dukej e vendosur u shndërrua në ndeshje për infarkt.

Ishte Dardan Berisha ai i cili me një depërtim të mençur kur komplet lojtarët e tij ishin të mbuluar, ai i cili riktheu epërsinë minimale (73:71) mirëpo përgjigja erdhi menjëherë në anën tjetër nga Wesley Washpun i cili me treshen e tij (73:74) kaloi Yllin në avantazh minimal, për herë të parë në kte ndeshje.

Të gjithë ishin në këmbë, qoftë nmë palestër apo pranë ekraneve televizive dhe ndalën frymën kurse Wilson me një depërtim të vështirë e shpërtheu mbrojtjen granite të therandasve për t’ia kthyer avantazhin minimal prishtinasve (75:74) e me kte rast u ndal në mënyrë të palejuar por huqin gjuajtjen e lirë kurse nga ana tjetër Uashpoun i cili depërtoi në brendi u bllokua nga i porsaardhuri Nate Grimes dhe Jan Palokaj fitoi kërcimin në mbrojtje para se të faulohej nga Armstead, kur kishin mbetur 25 sekonda lojë.

Nga ky moment ishim dëshmitar të gabimeve personale taktike dhe dyluftimit të gjuajtjeve të lira.

Fillimisht Palokaj ishte i sigurt dhe qëlloi të dy gjuajtjet e lira për tri pikë epërsi (77:74).

Në anën tjetër Debishop e faulloi Uashpunin por ky huqi njërën nga gjuajtjet e lira (77:75) para se Shirko të ndalte në mënyrë të palejuar Palokajnë i cili kësaj here realizoi vetëm një gjuajte të lirë (78:75) dhe pas saj ishte ai që e faulloi Armstedin e Yllit të cilit gjithashtu ju dridh dora në momentet vendimtare dhe realizoi vetëm një gjuajtje (78:76).

Krejt në fund, ai i cili mbi supet e veta ka me dhjeta e qindra këso ndeshje dramatike dhe është mësuar me presion, kapiteni prishtinas Dardan Berisha, pasi ndal në mënyrë të palejuar nga Bunjaku, me qetësi maksimale realizoi të dy penalet për rezultatin final 80:76 dhe kualifikimin në finale.

Ishte pikërisht Dardani me 20 pikë, prej tyre 4 treshe, duke shtuar 6 kërcime e 3 asistime, lojtari më i vlefshëm i Prishtinës kurse më efikasi doli Dustin Thomas me 22 pikë.

Lojë të shkëlqyeshme edhe një herë shfaqi plejmejkeri Wilson me 16 pikë  kurse aloqendra e porsaardhur Nate Grimes pavarësisht se realizoi vetëm 7 pikë, dominoi absolutisht nën kosha me 12 kërcime dhe solli siguri të madhe në mbrojtje me hiq më pak se 5 bllokada.

Nga kjo ndeshje patjetër duhet veçuar efikasitetin e lartë të Jan Palokajt nga gjuajtet e lira prej nga realizoi 7 nga 8 tentimet përkundër bashkëlojtarëve të tij që në kte mbrëmje ishin katastrofal duke huqur 14 penale, që ka mundur t’ju kushtoi me eliminim. Prishtina kundër Yllit pati 37 gjuajte të lira dhe realizoi vetëm 23

Nga ana tjetër , te Golden Eagle Ylli lojtari më i vlefshëm ishte kapiteni Gëzim Morina me 19 pikë e 8 kërcime dhe patjetër duhet theksuar se ai realizoi 5 treshe, gjysmën e trepikëshave të skuadrës së tij në kte gjysmëfinale.

I porsa ardhuri Washpon e mbylli natën me 16 pikë , Shirko me 13 dhe Rashaun Davis pati 11 pikë e 7 kërcime por të pamjaftueshme për t’i siguruar kalimin në finale ku do të jemi dëshmitar të El Clasicos së basketbollit kosovar ndërmjet të Prishtinës e Trepçës, që do të jetë reprizë e Superfinales së Superkupës 2022 të zhvilluar me 11 Dhjetor 2022.

Komentet janë të mbyllura.