Super-ekskluzive: Peja angazhon ish-trajnerin e gjigantit Maccabi Tel Aviv?
Prishtinë(AsistiOnline) – Eliminimi në çerekfinale të Kupës së Kosovës, duket se ka qenë ndeshja e fundit e Can Sevim në krye të KB Peja.
Trajneri turk duket se nuk e ka kapërdirë eliminimin e hershëm të skuadrës së tij nga kjo garë, aq më tepër nga ekipi i Rahovecit që ishte autsajder para fillimit të ndeshjes.
Megjithatë, duket se klubi i Pejës shpejtë e ka gjetur zëvendësin e tij, pasi siç mëson AsistiOnline.com verdhezinjët janë afër kompletimit të marrëveshjes me trajnerin e mirënjohur izraelit, Rami Hadar.
Hadar, 56 vjeçar, është emër i njohur për basketbollin izraelit dhe jo vetëm, pasi në një periudhë kohe ka drejtuar edhe gjigantin izraelit që luan prej vitesh rregullisht në Euroligë, Maccabi Tel Aviv.
Tekniku izraelit shumicën e karrierës si trajner e ka kaluar në basketbollin izraelit me ekipe si Hapoel Holon, Maccabi Ashdod, Maccabi Hasharon, Maccabi Haifa, Hapoel Hafula, Maccabi Tel Aviv, Hapoel Tel Aviv, Hapoel Be’er Sheva etj, gjersa në sezonin 2017/18 ishte kryetrajner i skuadrës rumune, SCM U Craiova.
Në herën e fundit, Hadar ka qenë kryetrajner i ekipit të Galil Gilboas në elitën izraelite.
Mbetet të shihet gjatë orëve në vijim, nëse kjo marrëveshje do të finalizohet përfundimisht e AsistiOnline.com do të ju mbajë të informuar për gjithçka. /AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.