Jonçevski e përzgjedh Lejson Zeqirin në 12shen e Maqedonisë, mediat e atjeshme e shohin si lider të ri të Kombëtares
Prishtinë(AsistiOnline) – Përfaqësuesja e Maqedonisë së Veriut e ka kompletuar 12shen e lojtarëve për dy ndeshjet e muajit shkurt në kuadër të parakualifikimeve për Kampionatin Evropian të vitit 2025.
Në stërvitjen e mbrëmshme, selektori Aleksandar Jonçevski, ka vendosur për listën e basketbollistëve të cilët do të tentojnë të bëjnë hapin e fundit dhe ta çojnë ekipin kombëtar maqedonas në fazën tjetër. Pesë basketbollistë u larguan nga grumbullimi, gjersa u përzgjodhën ata si mëposhtë:
Kristijan Nikolov (Konjaspor), Andrej Magdevski (Donar), Vojdan Stojanovski, Damjan Robev, Bojan Krstevski (MZT Shkup), Adem Mekic (Timishvar), TJ Shorts (Telecom Bonn), Theodor Simiç (Igokea), Stojan Gjuroski (Ourense), Lejson Zeqiri (Prishtinë), Andrej Maslinko (Pelister), Strahil Nikolov (TFT).
I vetmi lojtar debutues në 12she është shqiptari, Lejson Zeqiri, i cili ishte në listën e zgjeruar të trajnerit të atëhershëm Dragan Bajiq për parakualifikimet për Botërorin në verën e vitit 2021, por nuk luajti kundër Sllovakisë dhe Zvicrës.
Lejsoni është basketbollist i skuadrës së Prishtinës, dhe duke pasur parasysh se është vetëm 21 vjeç, mediat maqedonase po e shohin si një nga liderët e “valës së re” në kombëtaren e Maqedonisë së Veriut.
Maqedonia e Veriut ndeshjen kundër Sllovakisë do ta luajë të enjten në orën 18:00 dhe prej andej do të udhëtojë direkt në Oslo ku do të takohet me Norvegjinë, po ashtu të dielën në orën 18:00.
Në grumbullimin e gjerë me Maqedoninë e Veriut ishte edhe lojtari tjetër i Sigal Prishtinës nga Shkupi, Valmir Kakruki.
Me këtë përzgjedhje të Lejson Zeqirit në Kombëtaren e Maqedonisë së Veriut, tash janë vështirësuar tejet shumë gjasat që ai ti bashkohet në të ardhmen Përfaqësueses së Kosovës.
/AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.