FBK merr vendimin e ri: Nga tash e tutje tifozëritë përsëri me shenja dalluese në palestër
Prishtinë(AsistiOnline) – Federata e Basketbollit të Kosovës sot ka dalë me një njoftim të rëndësishëm për tifozëritë e organizuara që përkrahin ekipet e tyre të zemrës në palestrat tona.
Në njoftimin e lëshuar thuhet se bordi i FBK-së ka mbajtur një mbledhje gjatë ditës së sotme dhe ka vendosur që të largohet pika ku ndaloheshin pjesëmarrjet në mënyrë të organizuar dhe me çfarëdo shenje dalluese e të gjitha grupeve të tifozëve në ndeshjet e basketbollit, transmeton AsistiOnline.com
Njoftimi i plotë dhe pa ndërhyrje i FBK-së:
Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), më 28.02.2023, ka marrë vendim që nga ‘Vendimet e Bordit të FBK-së të datës 15.12.2022’ të largohet pika në vijim:
‘Të ndalohet pjesëmarrja në mënyrë të organizuar dhe me çfarëdo shenje dalluese e të gjitha grupeve të tifozëve në ndeshjet e basketbollit, të cilat organizohen nga Federata e Basketbollit të Kosovës, deri në një njoftim tjetër;’
Kjo si rrjedhojë e njoftimit/rekomandimit nga Këshilli për Parandalimin e Dhunës dhe Dukurive Negative në Ngjarjet Sportive (Këshilli për Sport), ku u potencua se, duke marr parasysh që prej periudhës kur FBK ka marrë vendime në lidhje me tifozëritë (15.12.2022) nuk ka pasur probleme të mëdha, kjo pikë mund të shfuqizohet.
Prandaj, deri në vendim tjetër, lejohet pjesëmarrja në mënyrë të organizuar dhe me çfarëdo shenje dalluese e të gjitha grupeve të tifozëve në ndeshjet e basketbollit të organizuara nga FBK.
Në emër të Bordit të FBK-së,
Arben FETAHU
Federata e Basketbollit e Kosovës
Komentet janë të mbyllura.