Basketboll

Muhadri e vetmja shqiptare në pesëshen më të mirë të Ligës Unike

Prishtinë(AsistiOnline) – Liga Unike e basketbollit mes Kosovës dhe Shqipërisë në konkurencën e femrave, mbrëmë mbylli stinorin me ndeshjen finale.

Ekipi i Partizanit nga Tirana triumfoi në finalen e madhe ndaj Flamurtarit të Vlorës, duke e fituar trofeun e çmuar, transmeton AsistiOnline.com

Ajo që vlen të ceket nga ky event i organizuar në Vlorë, padyshim që është edhe përzgjedhja e pesëshes më të mirë të garës, aty ku ka depërtuar vetëm një lojtare shqiptare.

Qendra dhe njëherazit kapitenja e Bashkimit të Prizrenit, Aulona Muhadri është përzgjedhur në pesëshen më të mirë të turneut të sivjetm të Ligës Unike.

Në dy ndeshjet e ”Final Four”-it të organizuar në Vlorë, Aulona Muhadri luajti me mesatare prej 10 pikëve e 13 kërcimeve për dy ndeshje dhe ishte prej lojtareve më të dalluara në fitimin e medaljes së bronztë.

Të kujtojmë se Muhadri është duke kaluar në formë jetësore që nga ardhja në krye të Bashkimit e trajnerit kroat, Viktor Kovaq.

Bashkimi e mbylli garën e sivjetme në Ligën Unike me medalje të bronztë edhe pse ishte favorit për ta fituar turneun final, pasi mbaroi stinorin e rregullt si lider.

/AsistiOnline.com/

 

Komentet janë të mbyllura.