Basketboll

Trepça thotë se është e pastërt si kristalet e veta, karshi pretendimeve të Prishtinës

Prishtinë(AsistiOnline) – Pas komunikatë zyrtare të KB Prishtinës, ku pretendohet se ndeshja mes tyre dhe Trepçës, e luajtur së fundmi është tentuar të manipulohet, ka reaguar edhe skuadra mitrovicase me një njoftim zyrtar.

Në fillim të njoftimit shkruan se Trepça është e pastërt si kristalet tona, duke vijuar me mohimin e të gjitha pretendimeve se ndonjë zyrtar i klubit të tyre është i përfshirë në rast.

”Me vëmendje kemi lexuar një komunikatë të lëshuar sot nga klubi tjetër i Superligës së Kosovës në basketboll, KB Sigal Prishtina. Me shqetësim kemi lexuar pretendimin e klubit prishtinas se ka pasur përpjekje për të manipuluar ndeshjen e kaluar të gjysmëfinales së play-offit. Klubi ynë nuk është dhe nuk ndjehet pjesë e këtyre zhvillimeve jashtë fushës së basketbollit. TREPÇA, ashtu si kristalet e minierës sonë, është plotësisht e pastër. KB Trepça nuk merret me gjëra që nuk i takojnë sportit dhe me “lojëra” jashtë parketit”, shkruan një pjesë e këtij njoftimi.

Në njoftim, poashtu shkruan se klubi mitrovicas fton të gjitha organet përkatëse që ta hetojnë rastin dhe të ndriqojnë të gjitha pretendimet e ngritura nga klubi prishtinas dhe jo vetëm këto pretendime, por të gjitha dyshimet për parregullsi në basketbollin kosovar në vitet e fundit.

Njoftimi i plotë dhe pa ndërhyrje i klubit mitrovicas:

TREPÇA, e pastër si kristalet tona

Të nderuar tifozë të zjarrtë të skuadrës sonë. Të nderuar adhurues të basketbollit kosovar në përgjithësi.

Me vëmendje kemi lexuar një komunikatë të lëshuar sot nga klubi tjetër i Superligës së Kosovës në basketboll, KB Sigal Prishtina. Me shqetësim kemi lexuar pretendimin e klubit prishtinas se ka pasur përpjekje për të manipuluar ndeshjen e kaluar të gjysmëfinales së play-offit.

Klubi ynë nuk është dhe nuk ndjehet pjesë e këtyre zhvillimeve jashtë fushës së basketbollit. TREPÇA, ashtu si kristalet e minierës sonë, është plotësisht e pastër. KB Trepça nuk merret me gjëra që nuk i takojnë sportit dhe me “lojëra” jashtë parketi.

Prandaj, ftojmë organet përgjegjëse të hetuesisë së shtetit tonë dhe të Federatës së Basketbollit të Kosovës që të kryejnë punën e tyre dhe të zbardhin pretendimet e klubit Sigal Prishtina. Gjithashtu ftojmë dhe do të insistojmë si klub që të zbardhen jo vetëm këto pretendime, por të gjitha dyshimet për parregullsi në basketbollin kosovar në vitet e fundit.

Ka tri vjet që kryesia aktuale e KB Trepça jep maksimumin për ta ngritur basketbollin kosovar në nivelin më të lartë. Me mburrje të plotë themi se këtë e kemi arritur. Ndjehemi krenarë që interesimi për basketbollin kosovar është në kulm dhe që klubi ynë ishte katalizator i kësaj ngritjeje të mahnitshme.

Klubin e morëm me shumë telashe e vështirësi. Për tri vjet e kemi kthyer në organizatë sportive shumë të suksesshme, shembull për korrektësi me të gjitha palët e përfshira: lojtarët, trajnerët, agjentët e lojtarëve, FBK-në e klubet tjera.

Jemi në ngritje të vazhdueshme sa i përket suksesit sportiv. Kemi luajtur shumicën e finaleve dhe kemi fituar trofe.

Prandaj nuk lejojmë në asnjë mënyrë që të përlyhet emri i madh TREPÇA. Me përkushtim dhe vendosmëri do të mbrojmë punën tonë, djersën tonë dhe imazhin e klubit, që i bënë nder basketbollit e sportit kosovar në përgjithësi.

Do t’i shkojmë deri në fund kësaj çështjeje dhe do të insistojmë që të zbulohen gjitha parregullsitë e pretenduara.

E përsërisim, si klub jemi plotësisht të pastër dhe në asnjë mënyrë nuk jemi të përfshirë në këto zhvillime.

Tifozët tanë i ftojmë që të qëndrojnë pranë klubit e ekipit. Jemi të fokusuar për organizim madhështor të ndeshjes së ardhshme gjysmëfinale të plejofit. Për të dëshmuar që TREPÇA është shumë e madhe dhe plotësisht e pastër. E pastër kristal.

Me respekt

Kryesia e KB TREPÇA

Komentet janë të mbyllura.