Basketboll

Asnjë palestër e ndërtuar me standarte evropiane, shteti vazhdon të hesht karshi kërkesave të sportistëve e publikut

Prishtinë(AsistiOnline) – Finalja e madhe për titull kampioni në basketbollin e Kosovës, po vazhdon të shpërfaq në shesh problemet dhe telashet e shumta me të cilat ballafaqohet ky sport, por edhe të tjerat në vendin tonë.

Kanë kaluar 23 vite nga përfundimi i luftës në Kosovë dhe ende institucionet shtetërore nuk kanë qenë gjendje që të ndërtojnë një palestër sportive kombëtare të nivelit evropian, për sportet me dorë dhe që zhvillojnë aktivitetin në ambiente të mbyllura.

Me plotë bindje mund të thuhet se më së shumti ‘sherrin’ këtij anashkalimi ia ka parë basketbolli që në shumicën e viteve e sidomos sivjet, është larg sporti më i ndjekur në vendin tonë si në palestra ashtu edhe në televizione.

Momentet e tilla si kjo sot, kur luhet finalja e madhe për titull mes Trepçës e Pejës dhe kur kërkesa e jashtëzakonshme për bileta ka kaluar çdo limit të kapaciteteve aktuale, të kujton injorimin e turpshëm që ju është bërë me vite e vite, thirrjes së sportistëve dhe publikut kosovar që edhe ne të kemi një palestër e cila do të kishte kapacitete për ti plotësuar kërkesat dhe nevojat për ndeshje të karakterit të tillë.

Çuditërisht, nevojat dhe kërkesat e tilla vazhdojnë të hasin në veshë të shurdhër, pasi me sa jemi në dijeni, as që ka ndonjë plan për ndërtimin e ndonjë palestre të tillë e cila do të përmbushte sportin dhe publikun kosovar deri diku.

Është për të ardhur keq, se si ende shteti nuk po mendon për dy prej kategorive më të rëndësishme të shoqërisë, sportistët dhe publikun. Aq më tepër, kur është pikërisht sporti ai që Kosovës shumë herë ia ka hapur dyert në shumë evenimente evropiane dhe botërore, si ambasadori më i mirë i shtetit.

Sonte kur e gjithë vëmendja qëndron në Mitrovicë dhe kur edhe disa nga drejtuesit e institucioneve shtetërore të kenë zënë vendet e tyre në palestër për ta shikuar ndeshjen, shpresojmë dhe besojmë që të shohin e të veprojnë menjëherë për të ndërtuar SË PAKU NJË PALESTËR SPORTIVE që do të ishte dinjitoze për ndeshjet e tilla, pasiqë mund të jetë edhe kjo një prej arsyjeve, sepse për çdo ditë gjeneratat po na ikin nga vendi në kërkim të një jetë më të mirë, patjetër edhe nga ajo sportive.

/AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.