Basketboll

Trepça dhe Prishtina kampione me të ardhura nga ligji për sponsorizime (DOKUMENT)

Trepça doli e dyta në kampionatin e Kosovës në basketboll në edicionin 2022/2023. Por klubi nga Mitrovica është “kampion” për diçka tjetër. Pos që ka përkrahjen bindshëm më të madhe të shikuesve, Trepça ka përfituar bindshëm më së shumti nga Ligji për Sponsorizime në Fushën e Kulturës, Rinisë dhe Sportit gjatë vitit të kaluar.

Nga marrëveshjet e sponsorizimit Trepça në vitin 2022 ka përfituar 918 mijë euro. Të dhënat zyrtare janë prezantuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për KOHËN.

Trepça ka përfituar afro 1 milion euro nga 31 marrëveshje sponsorizimi. Dy prej marrëveshjeve ishin goxha të mëdha. Një vërtetim iu lëshua për 200 mijë euro, ndërsa një tjetër për 150 mijë.

Komisioni për shqyrtimin dhe vlerësimin e kërkesave për lëshimin e vërtetimit për sponsorime në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit ka lëshuar mbi 700 vërtetime gjatë vitit 2022, sipas të dhënave zyrtare. Në vitin 2021 ishin lëshuar 512 vërtetime, kurse 227 në vitin 2020, kur ka nisur aplikimi i ligjit për sponsorizim.

Nëntë milionë e 118 mijë euro janë përfitimet e federatave dhe klubeve sportive nga Ligji për Sponsorizime sipas raportit zyrtar për vitin 2022.

Prej klubeve të Superligës në basketboll nga marrëveshjet e sponsorizimit goxha mirë ka fituar edhe Sigal Prishtina. KB Prishtina ka fituar 629 mijë euro, ndërsa pasojnë Golden Eagle Ylli me 518 mijë euro, Peja me 248 mijë euro, Rahoveci me 91 mijë euro, Vëllaznimi me 80 mijë euro, Bashkimi me 78 mijë euro dhe Ponte Prizreni me 66 mijë euro.

Në total, klubet elitare të basketbollit kanë fituar bindshëm më shumë se klubet e futbollit.

Edhe dy klubet e basketbollisteve, Prishtina dhe Bashkimi përfituan nga Ligji. KBF Prishtina përfitoi 72 mijë euro, 35 mijë vetëm nga ndërmarrja publike “Termokos”. KBF Bashkimi përfitoi 49 mijë euro.

Gjithsej klubet e Superligës në basketboll kanë përfituar 2.6 milionë euro. Dy klubet e femrave kanë përfituar nga marrëveshjet 121 mijë euro.

Në bazë të Ligjit për sponsorizim, sponsorizuesve u njihet zbritja 30 për qind nga tatimi në fitim. Ligji vlerësohet shumë i favorshëm për sportin, por ka dyshime nëse mbikëqyrja është e duhura.

Në listën e 700 marrëveshjeve për sponsorizim ka edhe klube të tjera të basketbollit që kanë përfituar.

Për shembull, KB Ylli 04 nga katër marrëveshje ka përfituar 13 mijë euro, sipas të dhënave zyrtare.

Nga Ligji për Sponsorizime në Fushën e Kulturës, Rinisë dhe Sportit kanë përfituar edhe Federata dhe klube të sporteve të tjera. /Koha.net/

Sponsorizimet e plota për klubet dhe shoqatat e basketbollit:

Komentet janë të mbyllura.