Pesë vjet nga vdekja e Gazmend Sinanit
Pesë vjet pa Gazmend Sinanin
23 qershori i vitit 2018 ishte një nga ditët më të rënda për basketbollin e Kosovës. Në këtë datë humbi jetën në një aksident trafiku basketbollisti i njohur Gazmend Sinani.
Sot janë bërë pesë vjet pa Gazin, i cili gjithmonë do të mbetet në zemrat tona.
Gazi ishte një basketbollist, i cili gjithmonë luftonte për fanellën e Kosovës dhe skuadrave ku luante.
Sinani ishte anëtar i Kombëtares së Kosovës, që nga pranimi i FBK-së në FIBA, ndërsa fanella me numër 15 është pensionuar përgjithmonë nga Federata e Basketbollit të Kosovës.
Kosova humbi një basketbollist të dashur dhe një djalë të jashtëzakonshëm, ndërsa asnjëherë nuk do të harrohet kontributi i tij për basketbollin e Kosovës.
Gazmend Sinani ishte 27 vjeçar. Pasi kaloi grupmoshat e reja në Prishtinë, karrierën e vazhdoi në Turqi, ku ishte pjesë e akademisë së Fenerbahçes dhe kombëtareve turke të grupmoshave të reja.
Në Kosovë ka luajtur për Prishtinën, Bashkimin e Rahovecin, kurse në klube të ndryshme turke është paraqitur disa sezone. Më 2017/18 luajti në ligën elite në Angli.
Komentet janë të mbyllura.