Basketboll

Pas arrestimit të tyre, prokurori lëshon masë paraburgimi për Rifatin e Mehmetin

Prishtinë(AsistiOnline) – Organet e rendit kanë vendosur për masë të ndalimit policor ndaj të dyshuarve për kurdisje me baste në basketbollin kosovar.

Sipas njoftimit të lëshuar nga policia, dy prej tre të arrestuarve, trajneri Arbnor Rifati dhe gjyqtari Daut Mehmeti, u është caktuar masa u ndalimit prej 48 orëve me urdhër të Prokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë pas intervistimit.

Në njoftimin e lëshuar të premten, bëhet e ditur se Sektori i Hetimeve Financare i DHKEK (Drejtoria për Hetime të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion), ka zbatuar urdhër-kontrollin e lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë në dy lokacione, Prizren dhe Prishtinë, me qëllim të sigurimit të dëshmime shtesë dhe arrestimin e dy të dyshuarve në lidhje me veprën penale “kurdisje e ndeshjes ose e sportit”.

Thuhet se ka dyshime për kurdisje të ndeshjeve të Superligës së Kosovës, Ligës Unike dhe Ligës Ballkanike, ndërsa të arrestuarit veprimet i kanë bërë në bashkëveprim për përfitime materiale.

“I dyshuari i parë (refer me licencë ndërkombëtare), dyshohet të ketë kurdisur ndeshjet basketbollistike në kuadër të Superligës së Kosovës, Ligës Unike Kombëtare dhe Ligës Ballkanike, veprimet i ka kryer në bashkëveprim me të dyshuarin e dytë (trajner basketbolli). Të dyshuarit i kanë kryer këto veprime me qëllim të përfitimit material. Po ashtu, i dyshuari i parë, ka bashkëvepruar edhe me refer dhe trajner ndërkombëtar në kurdisjen e lojërave basketbollistike, me qëllim të fitimit të basteve. Gjatë kontrollit janë sekuestruar disa fletëpagesa, katër telefona dhe dy shtëpiza të kompjuterit. Të dyshuarve pas intervistimit me urdhër të Prokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, u është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orëve”, thuhet në njoftim.

Të kujtojmë se javë më parë, ish-gjytari Daut Mehmeti është dënuar me largim të përjetshëm nga ombrella e FIBA-s. /AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.