Basketboll

Policia sqarohet për rastin: S’ka person të tretë të arrestuar për kurdisjet

Prishtinë(AsistiOnline) – Deklarimet e djeshme lidhur me aksionin e krimeve ekonomike pranë Policisë së Kosovës për kurdisjet në basketbollin e Kosovës, janë keqkuptuar nga mediat.

Kjo për faktin se nuk ka person të tretë arrestuar lidhur me rastin në fjalë.

Këtë e ka bërë të ditur për AsistiOnline.com, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.

Duket se ka ndodhur një keqkuptim për arrestimet e djeshme. Dy persona dje janë arrestuar për çështje që ndërlidhen me sport, ndërsa personi tjetër i arrestuar ka qenë për rastin e shërbimit korrektues, keqpërdorim i detyrës në burgun e Dubravës”, ka deklaruar Kelani për AsistiOnline.com
___________________

Policia e Kosovës ka konfirmuar arrestimet e sotme nën dyshimet për kurdisje të ndeshjeve në basketboll.

“Policia e Kosovës, në këtë rast Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike, ka realizuar dy operacione të ndara, në tri rajone si në Prishtinë, Prizren dhe Pejë. Operacionet policore deri më tani kanë rezultuar me shoqërimin e tre personave të dyshuar”, thuhet në komunikatën e policisë.

Deri më tani raportohet se të arrestuar janë gjyqtari Daut Mehmeti dhe trajneri Arbnor Rifati.

Ata janë arrestuar nën dyshimet për kurdisje të ndeshjeve në basketboll.

Gjyqtari Mehmeti ishte dënuar përjetësisht nga FIBA për shkak të dyshimeve për kurdisje.

Komentet janë të mbyllura.