Basketboll

Gjykata i liron nga paraburgimi, cakton arrest shtëpiak për Rifatin e Mehmetin

Daut Mehmeti, gjyqtar i suspenduar nga FIBA dhe trajneri i basketbollit kosovar, Arbnor Rifati, që u arrestuan nën dyshimet për kurdisje ndeshjesh i kanë shpëtuar paraburgimit. Gjykata ka refuzuar këtë masë sigurie dhe ka marrë vendim për një masë alternative, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se në seancën që u mbajt sot, gjykata ua ka caktuar një muaj paraburgim Mehmetit dhe Rifatit.

Mehmeti dhe Rifati dyshohen se veprimet i kanë kryer në bashkëveprim me njëri-tjetrin.

“I dyshuari i parë (refer me licencë ndërkombëtare), dyshohet të ketë kurdisur ndeshjet basketbollistike në kuadër të Super ligës së Kosovës, Ligës Unike Kombëtare dhe Ligës Ballkanike, veprimet i ka kryer në bashkëveprim me të dyshuarin e dytë (trajner basketbolli).

Po ashtu, i dyshuari i parë, ka bashkëvepruar edhe me refer dhe trajner ndërkombëtar në kurdisjen e lojërave basketbollistike, me qëllim të fitimit të basteve. Gjatë kontrollit janë sekuestruar disa fletëpagesa, katër telefona dhe dy shtëpiza të kompjuterit. Të dyshuarve pas intervistimit me urdhër të Prokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, u është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orëve”, njoftoi Policia me rastin e arrestimit.

Lidhur me këtë zhvillim, ka pasur reagim edhe nga Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK), e cila ka thënë se është duke bashkëpunuar ngushtë me institucionet dhe organet e rendit, lidhur me arrestimet e fundit.

Siç thuhet në reagimin e tyre, ata raportuan menjëherë rastin pranë Këshillit për Parandalimin e Dhunës dhe Dukurive Negative në Ngjarjet Sportive, Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë së Shtetit dhe morën masat e duhura për të bashkëpunuar me organet e rendit.

FBK-ja gjithashtu ka njoftuar se ka ndërmarrë procedurat e brendshme disiplinore ndaj personave të apostrofuar dhe ka koordinuar veprimet me FIBA-në (Federata Ndërkombëtare e Basketbollit).

“Ne e kemi raportuar menjëherë pranë Këshillit për Parandalimin e Dhunës dhe Dukurive Negative në Ngjarjet Sportive të themeluar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë së Shtetit rastin sapo na është bërë i ditur, kemi marrë të gjitha masat e nevojshme për të bashkëpunuar me organet e rendit që nga viti i kaluar, si dhe i kemi marrë masat e duhura për të iniciuar dhe zhvilluar procedurat e brendshme disiplinore ndaj personave të apostrofuar, gjithë kohën në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me FIBA”, thuhet në reagimin e FBK-së.

Komentet janë të mbyllura.