Alarm: Turqia vazhdon ti përvetësojë basketbollistët kosovarë
Prishtinë(AsistiOnline) – Federata e Basketbollit të Turqisë po vazhdon që ti josh basketbollistët kosovarë me perspektivë, duke ju dhënë nënshtetësi të Turqisë.
Pas Kenan Spahiut dhe Erxhan Osmani e ndoshta edhe rasteve tjera në të kaluarën, së fundmi edhe dy basketbollistë që kanë shkuar nga Kosova në klubin e Beshiktashit, tashmë janë bërë basketbollistë me pasaportë turke, shkruan AsistiOnline.com
Bëhet fjalë për Edin Bacevac i lindur, rritur dhe zhvilluar në Kosovë, madje ka luajtur edhe për grupmoshat e reja të Përfaqësueses së Kosovës, por që në të ardhmen pritet ti shërbejë ekipit kombëtar turk.
Bacevac në Kosovë ka qenë lojtar i Kerasan Prishtinës me të cilin kishte punuar shumë trajneri, Dritëro Sefaja. Por, kjo nuk është e tëra pasi Bacevac ka qenë edhe pjesë e Qendrës Nacionale të Basketbollit e krijuar nga FBK-ja, ku është punuar me lojtarë potencial për të ardhmen.
Njejtë ka ndodhur edhe me qendrën perspektive, Rrezon Elezaj i cili është 16 vjeç dhe tash i gjatë plotë 2.16 centimetra. Elezaj, i cili para shkuarjes në Turqi ishte 2.07 i gjatë, në vetëm një vit u rrit 11 cm dhe arriti në 2.18. Edhe Elezaj ka qenë pjesë e Qendrës Nacionale të Basketbollit të Kosovës, por për një moment u largua nga kampi dhe më pas u transferua në Beshiktash.
Sipas një detaji tjetër të përmendur në mediat turke, Turqia nuk ishte i vetmi vend që donte t’i jepte nënshtetësinë, Edin Bacevacit. Thuhet se edhe Federata Gjermane e Basketbollit, 16 vjeçarit i kishte ofruar të gjitha llojet e mundësive, përfshirë edhe nënshtetësinë, por turqit të mençur e përvetësuan me lëvizjen e klubit të Beshiktashit.
Mediat turke pretentojnë se Bacevac do të mbajë edhe fanelën e kombëtareve e të rinjve të Turqisë në gjeneratën 2007.
Megjithë këto pretendime në basketbollin turk, AsistiOnline.com ka mësuar se dy lojtarëve të lartëcekur, Bacevac dhe Elezaj do t’ju dalin probleme për të luajtur me Kombëtaren Turke, pasi tashmë kanë zhvilluar ndeshje zyrtare me Përfaqësuesen e Kosovës dhe janë regjistruar në sistemin, FIBA-Map dhe vetëm me leje të veçantë të lëshuar nga Federata e Basketbollit të Kosovës, do të mund të luajnë për Turqinë.
Mbetet të shihet se cilat do të jenë veprimet e Federatës së Basketbollit të Kosovës, pas këtyre lëvizjeve nga FBT-ja e cila po shihet qartë se nuk sheh miqësi me FBK-në, kur vjen puna tek interesi i basketbollit turk dhe të tillë këtë çështje dhe të tjera, duhet ti shohë edhe Kosova deri në fund.
/AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.