Pak siguri në ndeshjet e basketbollit kosovar, Superkupa mbyllet me shumë incidente
Prishtinë(AsistiOnline) – Incidentet në ndeshjet e basketbollit kosovar po vazhdojnë në forma të ndryshme dhe pa ndalur.
Pa këto gjëra negative nuk ka kaluar as Superkupa e organizuar për meshkujt në qytetin e Suharekës, duke pasur përleshje të shumta mes tifozëve dhe jo vetëm, shkruan AsistiOnline.com
Edhe pse nga zyrtarët e lartë të FBK-së ishte paralajmëruar se tifozët mysafirë nuk do të jenë prezentë, kjo për shkak të incidenteve të shumta që shkaktuan në të kaluarën, kjo nuk ndodhi dhe përveç ardhjes në mënyrë të organizuar, incidentet u përsëritën pothuajse gjatë tërë ndeshjeve, gjë që bëri që finalja e madhe të ketë histori maratonike.
Kulmi i problemeve u shfaq mbrëmë në finalen e madhe mes Pejës dhe Trepçës, kur u larguan nga palestra tifozët mitrovicas, derisa ndeshja vazhdoi me tifozët e Pejës në palestër, por problemet nuk u ndalën, pasiqë me të përfunduar ndeshja dhe duke dalur nga palestra tifozët pejanë, pati incidente dhe tentim për përleshje edhe jashtë palestrës.
Gjatë përleshjes mes tifozërive në palestrër gjatë pjesës së parë, pësoi lëndim edhe gazetarja – komentatorja sportive dhe moderatorja e ASIST-it, Ulpiana Emra e cila u godit nga një shishe e plastikës në shpinë, por fatmirësisht shpëtoi pa lëndime të rënda.
Emra nuk ka qenë e vetmja gazetare që ka pësuar në turneun e Superkupës, pasiqë edhe komentatori i Kujtesa Sport, Agon Radoniqi në ndeshjen çerekfinale mes Trepçës e Bashkimit, e kishte të njejtin fat. Gjatë ndeshjes në fjalë u ndezën fishekzjarre dhe disa nga to e kanë goditur tavolinën e komentimit dhe komentatorin e KSportit, Agon Radoniqi siç shihet në pamjet e mëposhtme:
Megjithatë, me patjetër është ky një alarm dhe këmbanë e madhe, se shteti me instancat e veta, përfundimisht duhet të bëjnë shumë më shumë për siguri të ndeshjeve sportive, sidomos atyre me tensione të mëdha, para se të mos e pësojë dikush rëndë dhe atëherë kur ka viktima do të jetë vonë.
Një gjë e cila ra në sy nga këto incidente, ishte prania e vogël e policisë në këtë ndeshje e cila paraprakisht ishte e ditur se do të jetë me tensione të mëdha, për shkak të tifozërive respektive. Por, duket se organizatorit nuk iu është dukur ashtu edhe pse pasojat ishin të shumta pastaj.
Me patjetër duhet cekur se në komunitetin e basketbollit kosovar pati kritika të shumta se pse ky turne i Superkupës u organizua në Suharekë, pasiqë palestra nuk është se i plotëson kushtet e kërkuara sidomos për tifozëritë mysafire.
Tash kur jemi një ditë pas mbylljes së turneut startues në edicionin e ri të basketbollit kosovar, urojmë që FBK-ja dhe mbi të gjitha shteti, të kenë marrë mësim rreth sigurisë së një ndeshje basketbolli e cila duket se në Kosovë është sfidë e madhe, për tu luajtur pa incidente nga më të rëndat.
/AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.