Basketboll

Jon Ismajli transferohet në Çeki, do të menagjohet nga njëra prej agjencive më të vjetra në Evropë

Prishtinë(AsistiOnline) – Basketbollisti i talentuar prishtinas, Jon Ismajli është larguar nga Kosova në drejtim të Republikës së Çekisë për aventurë të re

Në fakt, Joni është transferuar tek akademia e njohur çeke e basketbollit, ”Get Better Academy” e cila shërben si urë ndërlidhëse për basketbollistët e talentuar për ti lidhur me ekipe, qofshin ato në Evropë apo SHBA.

Transferin e Jonit drejt Çekisë e ka mundësuar agjencia e njohur e menagjimit të lojtarëve ”Lotsos” e cila njihet si një prej më të vjetrave në këtë industri në Evropë e cila edhe e ka marrë për ta menagjuar Jonin nga tash e tutje.

Lotsos Agency ka në menagjim yje të Euroligës si Shane Larkin, Sasha Vezenkov i cili sivjet ishte MVP i Euroligës dhe u transferua në NBA, pastaj Thanasis Antetokounmpo, pastaj Mike Tobey, Milos Teodosic e shumë të tjerë.

Joni sivjet u paraqit me dy Përfaqësueset e reja të Kosovës U20 dhe U18, derisa me këta të fundit në Matosinhos të Portugalisë, kishte mesatare fantastike prej 17.4 pikëve në 7 ndeshje dhe arriti që të hyjë në top-7 lojtarët më të mirë të turneut, duke qenë poashtu edhe rrëmbyesi më i mirë i topave në këtë turne me 3.6 topa të vjedhur apo në total 25 sosh.

Në Evropianin U18 me Kosovën, Joni ishte edhe lojtari me minutazhën më të madhe nga të gjitha ekipet, duke luajtur plotë 251 minuta në 7 ndeshje.

Pas transferimit të Jonit në Çeki, ai ka bërë një falenderim të veçantë për drejtuesit e KB Prishtinës, për gadishmërinë e tyre që ta lirojnë edhe pse ai sivjet ishte transferuar në radhët e tyre, por duke mos dashur ta pengojnë zhvillimin e karrierës së tij, e kanë mirëkuptuar menjëherë. /AsistiOnline.com/

 

Komentet janë të mbyllura.