Katastrofë për Rahovecin, drejtuesit e rinj nuk i qëndrojnë pas dhe ekipi pritet të shuhet
Prishtinë(AsistiOnline) – Klubi i Rahovecit si duket më nuk do të ekzistojë fare.
Drejtuesit e rinj të skuadrës ‘vreshtare’ duket se nuk do ti qëndrojnë pas, klubit të cilin e morën për ta drejtuar në kuvendin e jashtëzakonshëm që u mbajt gjatë verës në Rahovec.
Edhe pse ishte paraqitur fillimisht në gara, ditën e djeshme FBK-ja publikoi kalendarin e garave dhe aty nuk gjendej fare klubi ‘vreshtar’ e AsistiOnline.com ka mësuar se klubi nuk do të marrë fare pjesë në gara dhe si pasojë e kësaj pritet të vije deri tek shuarja e tij.
Mandatar i Rahovecit gjatë verës ishte bërë Admir Mullabazi, një arsimtar i Edukatës Fizike në qytetin e Rahovecit, por ende nuk dihet se pse klubi që dikur ishte sinonim i qytetit, do të shuhet krejtësisht.
Gjatë kohës sa ka qenë pjesë e Superligës, qyteti i Rahovecit i ka dhënë hijeshi garës më elitare të basketbollit kosovar, madje njëherë kishte qenë edhe finalist i play off-it.
Shpresojmë dhe besojmë në ditë të mira për basketbollin rahovecian dhe kjo gjë mund të ndodh fare lehtë, pasi në qytetin e rrushit është hapur edhe një klub i ri e tejet ambicioz për të ardhmen me iniciativën e disa ish-basketbollistëve nga Rahoveci.
/AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.