Basketboll

Peja e fiton edhe derbin ndaj Prishtinës në kryeqytet

Peja vazhdon me fitore në Prince Caffe Superligë. Pejanët kanë triumfuar në derbin në kryeqytet ndaj Sigal Prishtinës me rezultat 80:95 (25:19, 27:26, 19:20, 9:30).

Në çerekun e parë kryeqytetasit ishin për një nuancë më të mirë, ndërsa verdhezinjtë nuk lejonin shkëputjen e tyre, por një seri prej 5:0 në fund, bëri që të fitojnë këtë pjesë 25:19. Bardhekaltrit vazhduan me lojë të mirë, sidomos ishin të saktë për tri pikë dhe kjo ndihmoi të rritin epërsinë, që shkoi në 11 pikë, 45:34, por më pas pejanët me një seri prej 0:7, afruan rezultatin në 47:43, sidoqoftë, Prishtina sërish në fund ishte më e mirë dhe shkoi në pushim me rezultat 52:45.

Lojë interesante u zhvillua në periodën e tretë, me mysafirët që disa herë afruan shifrat minimalisht, por sërish në fund, gjashtë pikë radhazi nga vendasit bën që rezultati pas 30 minutash të jetë 71:65. Por, në dhjetë minutat e fundit dhe vendimtare, Peja ishte e jashtëzakonshme, duke bërë përmbysjen në 73:84, e më pas nuk e lëshuan epërsinë për të triumfuar në fund 80:95.

Te vendasit u dalluan Dardan Berisha me 17 pikë, Steven Davis me 14 pikë dhe Shaheed Davis me 14 pikë e nëntë kërcime, kurse te mysafirët u dalluan Justin Davis me 17 pikë e 18 kërcime, Jacob Calloway me 20 pikë e tetë kërcime dhe Malcolm Armstead me 13 pikë e shtatë asistime.

Sigal Prishtina ka katër fitore e dy humbje, derisa Peja ka gjashtë fitore në gjashtë ndeshje.

Komentet janë të mbyllura.