Peja mposhtet thellë nga Chemnitzi, ndërlikohen gjërat për kualifikim
Kampionia e Kosovës në basketboll, Peja, ka pësuar humbje të thellë në kuadër të stinorit të rregullt të FIBA Europe Cup. Të mërkurën mbrëma në palestrën “Karagaçi”, Peja humbi nga skuadra gjermane NINERS Chemnitz me rezultat të thellë, 99:63.
Për Chemnitzin ishte fitorja e katërt rresht në kuadër të Grupit H. Ndërkohë Peja pësoi humbjen e dytë. Të dy humbjet i ka nga Chemnitzi, ndërsa ka edhe dy fitore. Ka mposhtur Heroes Den Bosch të Holandës dhe Spojnia Stargard të Polonisë. Peja e Stargardi kanë bilanc prej dy fitore e dy humbje dhe janë në garë për pozitën e dytë. Pozita e parë në grup tashmë i takon Chemnitzit. Aktualisht Peja është e dyta.
Skuadra pejane vetëm në minutat e parë ka rivalizuar mysafirët nga Gjermania. Më pas basketbollistët mysafirë kanë dominuar plotësisht. Peja nuk i është përgjigjur lojës së shpejtë dhe shumë efikase të Chemnitzit. Chemnitzi fitoi çerekun e parë me rezultat 23:12, ndërsa të dytin 28:13. Kështu kishte epërsi shumë të lartë që në pjesën e parë. Ndërkohë lojë e njëjtë vazhdoi në pjesën e dytë dhe epërsia e Chemnitzit vetëm rritej.
Në fund dallimi ishte 36 pikë. Justin Davis i kishte 14 pikë e tetë kërcime për Pejën. Shifra të njëjta kishte edhe Urald King, ndërsa Arian Çallakaj realizoi 14 pikë e dy kërcime. Jay Jay Chandler e nisi ndeshjen shumë fuqishëm. Por ritmi i tij u ndal, ndërsa Chandler në fund i kishte 13 pikë e tetë kërcime. Peja u paraqit pa Lis Shoshin dhe Malcolm Armstedin. Wesley Van Beck ishte i pandashëm te Chemnitzi. Ai ndeshjen e mbylli me 23 pikë e katër kërcime. Më 15 nëntor Peja luan në Holandë ndaj Den Boschit, që ka katër humbje deri më tani. Ndërkohë më 22 nëntor e pret skuadrën polake, Spojnia Stargard. Ajo ndeshje ka gjasë të jetë vendimtare për pozitën e dytë, që jep shpresa për avancimin tutje.
Komentet janë të mbyllura.