Basketboll

Trepça mobilizohet në pjesën e dytë dhe mposht Istogut

Prishtinë(AsistiOnline) – Trepça e ka fituar përballjen e xhiros së tetë në Superligën e Kosovës.

Mitrovicasit kanë triumfuar ndaj Istogut 112-82.

Pjesa e parë e ndeshjes ishte tërësisht e barabartë, madje istogasit e nisën më mirë ndeshjen, sidoqoftë, mitrovicasit nuk lejuan shkëputjen e tyre dhe pjesa e parë përfundoi 48:48.

Megjithatë, vendasit u mobilizuan në periudhën e tretë, ku ishin bindshëm më të mirë, si në sulm, ashtu edhe në mbrojtje, duke e fituar këtë pjesë 37:14, ndërsa në dhjetë minutat e fundit vetëm sa shtuan epërsinë dhe triumfuan 112:82.

Te vendasit u dalluan Drilon Hajrizi me 34 pikë, gjashtë kërcime e katër asistime dhe debutuesi Darnell Edge me 22 pikë, shtatë kërcime e dhjetë asistime, kurse te mysafirët më i miri ishte Arian Azemi me 25 pikë, pesë kërcime e nëntë asistime.

Trepça numëron gjashtë fitore e dy humbje, duke u renditur e dyta, kurse Istogu me një fitore e shtatë humbje është në vendin e fundit në tabelë.

Komentet janë të mbyllura.