”I biri i babës” e ngjall Vëllaznimin për herë të dytë me rradhë
Prishtinë(AsistiOnline) – Vëllaznimi është skuadra më në formë së paku e momentit në Superligën e Kosovës në basketboll.
Gjakovarët në katër javët e fundit kanë po aq fitore dhe nuk po ndalen assesi, madje nuk u ndalën as nga liderja e renditjes tabelare, Peja.
Ekipi kuqezi ia shkaktoi Pejës humbjen e parë të stinorit pas tetë (8) xhirove, duke shkaktuar senzacion të madh, pasi marrë parasysh rosterin me lojtarë vendorë pa përvojë, një gjë e tillë nuk është se është pritur dhe fitorja erdhi falë luftës së madhe të gjithë ekipit.
Të kujtojmë se Vëllaznimi e kishte nisur edicionin me dy humbje rresht dhe klubi kishte vendosur për ndërprerjen e bashkëpunimit me trajnerin lituanez, Audrius Prakuraitis i cili u pasua nga ndihmësi i tij, Josip Plantak e ky i fundit po arrin rezultate fenomenale nën udhëheqjen e ekipit, pa e harruar edhe pjesën tjetër të shtabit teknik, Shkumbin Kumnovën e Driton Rracin. Por, kjo nuk është e tëra…
Siç ka mësuar AsistiOnline.com, Vëllaznimi ka angazhuar në ekip edhe profesionistë të fushës ‘jashtë’ klubit që po merren me skautim dhe që besohet të jetë fjala për njerëz shumë kredibilë (emra të njohur për redaksinë) që e njohin në detaje basketbollin kosovar dhe kjo i ka ndihmuar tepër shumë ekipit gjakovar sidomos ndaj Pejës që arriti ta kufizojë jashtëzakonisht lojën e verdhezinjëve në kategori të theksuara fizike e taktike.
Për çudi, rasti i njëjtë me trajner te Vëllaznimi ka qenë edhe në edicionin e kaluar. Gjakovarët e kishin nisur me në krye të ekipit, Franko Sterlen, por të cilin e shkarkuan pas vetëm 5 ndeshjeve dhe drejtimin e ekipit e kishte marrë pikërisht Josip Plantak, i cili e kishte futur ekipin në ”play off” nga pozita e gjashtë.
Duke marrë parasysh faktin se Josip Plantak në të kaluarën nuk ka ndonjë përvojë si trajner i parë, fryti në skuadrën kosovare të Vëllaznimit po e shpërfaq në pah dijen e tij për basketboll dhe të cilën gjë po e tregon me shumë sukses.
Për ju që nuk e dini, Josip është i biri i Neven Plantakut, ish trajnerit të Trepçës me të cilin, ekipi mitrovicas e ka fituar titullin e fundit të kampionit në histori të klubit dhe si duket, Plantak Jr e ka trashëguar bukur mirë zejen e trajnerit nga babai i tij.
4 fitore në 4 xhirot e fundit dhe atë, fitore të ëmbla ndaj dy gjigantëve të basketbollit tonë, Prishtinës e Pejës ndaj të cilave ekipe, Vëllaznimi moti s’kishte fituar, natyrisht që kjo përbën lajm dhe senzacion për shumë arsyje. /AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.