Evropiani i Femrave për Shtetet në Zhvillim do të organizohet në Kosovë
Një sër ngjarjesh basketbolli me rëndësi do të zhvillohen gjatë vitit 2024 në Kosovë.
Prej 25 deri më 30 qershor në Prishtinë, FBK do të jetë për herë të parë organizatore e FIBA Kampionatit Evropian për Shtete të Vogla – Femrat, në të cilin Evropian do të marrin pjesë 8 shtete, ndërsa FBK ka filluar qysh tani të mobilizohet për të ndërtuar një skuadër, e cila do të ketë paraqitje dhe synime më të mëdha se sa në dy edicionet e para kur ka marr pjesë në këtë garë.
Një ngjarje tjetër me rëndësi që do ta organizoj FBK në verën e vitit 2024 është edhe FIBA U18 Kampionati Evropian, Divizioni C për Femra prej 23 deri më 28 korrik, në të cilën garë do të marrin pjesë 8 shtete, kurse Kosova synon të ketë paraqitje dhe rezultate dukshëm më të mira se sa në verën e këtij viti.
FBK prej vitit 2018 rregullisht është organizatore e garave të FIBA-s për FIBA Kampionatet Evropiane të Gjeneratave të Reja.
“Federata e Basketbollit e Kosovës është e nderuar dhe e emocionuar të presë jo vetëm një, por pesë ngjarje ndërkombëtare të basketbollit në vitin e ardhshëm. Kjo arritje është një dëshmi e punës së palodhshme, përkushtimit dhe pasionit të të gjithë komunitetit të basketbollit në vendin tonë.
Vendimi për t’i besuar Kosovës organizimin e këtyre garave prestigjioze është një reflektim i përkushtimit tonë për përsosmëri dhe hapave të jashtëzakonshëm që kemi bërë në këtë sport. I shprehim mirënjohjen tonë të sinqertë FIBA-s për njohjen e potencialit të Kosovës dhe ofrimin e mundësisë për të shfaqur aftësitë tona në skenën globale”, ka thënë kryetari i FBK-së Arben Fetahu pas zyrtarizimit të organizimit të këtyre ngjarjeve në basketbollin kosovar.
Komentet janë të mbyllura.