Basketboll

Të ftohtit rikthehet në palestrat kosovare, pak prej tyre i plotësojnë kushtet për lojë

Prishtinë(AsistiOnline) – Stina e dimrit është problematike për të bërë sport në vendin tonë.

Kjo për faktin se shumica e palestrave në Kosovë nuk i plotësojnë kushtet për lojë dhe në shumicën prej tyne nuk funksionon sistemi i ngrohjes.

Kjo problematikë e përcjell basketbollin kosovar prej vitesh dhe në pak prej tyre është gjetur zgjidhje, shkruan AsistiOnline.com

Në adresën e AsistiOnline.com kanë ardhur pakënaqësi të shumta nga klubet, të cilat thonë se në sezonin dimëror po hasin në vështirësi sidomos me lojtarët e huaj që fare nuk mirëkuptojnë dhe po ta shohësh realisht edhe kanë të drejtë, sepse lëndimet trokasin në dyer.

Lidhur me të ftohtit në palestra, rregulloret e FBK-së e përkufizojnë shumë mirë një gjë të tillë dhe aty shkruan se ”gjatë zhvillimit të ndeshjes në sallë temperatura nuk mund të jetë më pak se minimum 15 Gradë Celsius”, por shtrohet pyetja se a po respektohet kjo rregullore.

Temperatura në Palestra është e përcaktuar në Propozicionet e Garave për edicionin 2023/24, më saktësisht Neni 28, në të cilin zbatohen dispozitat e nenit 19.3 të këtyre Propozicioneve. Ne si Federatë nuk kemi pasur asnjë ankesë zyrtare në lidhje me temperaturat në palestra, edhe pse jemi të vetëdijshëm se janë disa palestra ku ngrohja nuk funksionon apo funksionon shumë pak”, thotë fillimisht sekretarja e FBK-së Elvira Dushku për AsistiOnline.com

Sipas numrit dy të FBK-së, kjo e fundit ka kërkuar nga drejtuesit e klubeve që me fillimin e sezonit dimëror që të gjendet një zgjidhje urgjente lidhur me ngrohjen në palestra, por pranoi nuk varet edhe nga klubet.

Në takimin që e kemi pasur me Kryetarët e klubeve të Superligës pas përfundimit të xhiros së shtatë, së bashku me Kryetarin e FBK-së, kemi kërkuar nga klubet që urgjentisht të merren me zgjedhjen e problemit të ngrohjes në palestra për ato klube që kanë probleme dhe na është premtuar se do të veprojnë në atë mënyrë, por edhe se jo gjithçka varet nga ta, pasi ngrohja në disa palestra nuk ka të bëjë me zgjedhjen e problemit direkt nga klubi. Sidoqoftë është mëse e qartë se në palestra të ftohta është e pamundur të luhet apo të shikohet basketboll, andaj klubet në koordinim me Drejtoritë përkatëse të Komunave prej nga vijnë duhet ta bëjnë një zgjidhje në mënyrë që të gjithë të përfshirët në basketboll ta shijojnë basketbollin edhe gjatë dimrit, e në veçanti lojtarët pasi që rreziku për ta është se edhe mund të vijnë deri te lëndimet gjë që mund t’ju kushtojë klubeve”, tha Dushku.

Në Prishtinë, Mitrovicë e Prizren, temperaturat në palestra janë më të nxehta, ndërsa në qytetet tjera kryesisht ato janë katastrofale dhe dihet mirë se të gjitha këto impiante në Kosovë menagjohen nga Komunat, të cilat edhe do të duhej të gjenin zgjidhje për ngrohje gjatë stinës së dimrit.

/AsistiOnline.com/ 

 

 

Komentet janë të mbyllura.