Xhiro shumë interesante na pret këtë vikend në basketbollin kosovar
Java e 13-të në elitën e basketboll do të sjellë përballjen e rivalëve në basketbollin e Kosovës apo skuadrave me traditë dhe trofe në basketbollin e Kosovës.
Takimi i parë i së shtunës është ndërmjet Trepçës dhe Bashkimit, që pritet të jetë shumë interesant. Mitrovicasit janë në vendin e parë me dhjetë fitore e dy humbje, kurse prizrenasit kanë katër fitore e tetë humbje, por së fundi kanë bërë ndryshime në shtabin teknik duke emëruar ish-trajnerin e ‘Xehetarëve’, Aleksandar Joncevski. Mitrovicasit kishin fituar duelin përballë prizrenasve në Prizren 77:99.
Sfida e dytë e së shtunës pritet të jetë edhe më e ‘zjarrtë’ mes Pejës dhe Sigal Prishtinës. Përballja e rivalëve gjithmonë ka qenë interesante e kështu pritet edhe kësaj radhe. Verdhezinjtë kanë nëntë fitore e tri humbje, kurse prishtinasit shtatë fitore e pesë humbje. Duelin e parë të këtij edicioni e kishin fituar kampionët e Kosovës, 80:95. Synimi i vetëm i dy skuadrave është fitorja në këtë sfidë.
Ndeshje po ashtu interesante pritet ndërmjet Proton Cable Prizrenit dhe Golden Eagle Yllit, që zhvillohet të dielën. Prizrenasit kanë katër fitore e tetë humbje, ndërsa therandasit shtatë fitore e pesë humbje, duke e bërë sfidën shumë të barabartë dhe të dy skuadrat luajnë për fitore për të pasur plasman sa më të mirë në renditje.
Përballja e fundit zhvillohet ndërmjet Vëllaznimit dhe Istogut. Kuqezinjtë kanë gjashtë fitore e gjashtë humbje, ndërsa istogasit kanë një fitore e 11 humbje, duke u renditur në vendin e fundit, ndërsa skuadra nga Gjakova renditet në vendin e pestë.
Java 13-Prince Caffe Superliga
E shtunë
17:00 Trepça-Bashkimi
19:00 Peja-Sigal Prishtina
E diel
17:00 Proton Cable Prizreni-Golden Eagle Ylli
19:00 Vëllaznimi-Istogu
Komentet janë të mbyllura.