Basketboll

Ylli dhe Trepça dueli i parë i ditës për sot, Beçiragiq rikthehet në Therandë për herë të parë

Prishtinë(AsistiOnline) – Sot nis të luhet xhiro e 14-të e Superligës së Kosovës te meshkujt.

Për shkak të ndarjes nga jeta të trajnerit të basketbollit, Illmen Bajra, të gjitha ndeshjet e kategorive seniore dhe të reja do të fillojnë me një minutë heshtje.

Bajra ka qenë ndihmëstrajner i Kosovës A, përzgjedhës i Kosovës U18 Femrat, trajner i Bashkimit te meshkujt dhe femrat, ndihmëstrajner në Prizreni 16, Sigal Prishtinë dhe Rahovec, kurse së fundi ishte trajner skuadrën gjermane të femrave Bad Homburg Falcons.

Vdekja e tij e hershme tronditi komunitetin e basketbollit, që do ta përkujtojë gjithmonë.

Takimi i parë i kësaj jave dhe për ditën e sotme është ndërmjet Golden Eagle Yllit dhe Trepçës. Të dy skuadrat luajnë për fitore dhe pritet një sfidë interesante. Therandasit kanë tetë fitore e pesë humbje, kurse mitrovicasit 11 fitore e dy humbje, duke e bërë përballjen kryesore të kësaj xhiro.

Ish-trajner i i Yllit, Adis Beçiragiq që i solli trofetë historikë ekipit, sot për herë të parë do të rikthehet në qytetin ku solli shumë gëzim, por si kundërshtar dhe trajner në taborin kundërshtar të Yllit.

Ndeshja fillon nga ora 17:00 dhe transmetohet direkt në ArtSport2 e Klan Kosova.

 

Komentet janë të mbyllura.