Basketboll

Prishtina fiton ndaj Bashkimit për një pikë, mysafirë ankohen për faul në sekondën e fundit

Në një sfidë, ku fituesi është vendosur në sekondat e fundit, Sigal Prishtina ka mundur Bashkimin me rezultat 84:83 (31:25, 17:27, 16:11, 20:20), në javën e 19-të të Prince Caffe Superligës.

Çereku i parë ishte interesant, ku prizrenasit kishin deri në pesë pikë epërsi 5:10, por që u fitua nga vendasit 31:26. Në periudhën e dytë, nga momenti kur vendasit ishin në epërsi 41:36, prizrenasit nisën një seri të jashtëzakonshme 1:16 për epërsinë 42:52, por me gjashtë pikë radhazi nga kryeqytetasit pjesa e parë përfundoi 48:52.

Perioda e tretë ishte interesante, ku shumë herë u barazua rezultati, që pas 30 minutash në semafor ishte 64:63. Drama vazhdoi deri në fund. Bashkimi po fitonte 77:82, por në momentet vendimtare, bardhekaltrit barazuan shifrat në 82:82 dhe në çastet e fundit, Muhamedali Janjeva shënoi për 84:83, që ishin pikët vendimtare, pasi aksioni i fundit nga Portokallezinjtë nuk ishte i suksesshëm dhe pse kërkuan faul në Altin Morinën, gjyqtarët nuk e referuan dhe nuk u afruan as ta analizojnë rastin tek transmetuesi i ndeshjes.

Te Sigal Prishtina u dalluan Derrick Wilson me 18 pikë e 12 asistime dhe Shaheed Davis me 20 pikë e shtatë kërcime, kurse te Bashkimi u dalluan Will Daniels me 24 pikë e dhjetë kërcime, Isiah Umpig me 16 pikë e 11 asistime dhe Altin Morina me 17 pikë.

Bardhekaltrit kanë 13 fitore e gjashtë humbje, derisa Portokallezinjtë kanë shtatë fitore e 12 humbje.

Komentet janë të mbyllura.