Peja fiton derbin dramatik ndaj Prishtinës në Ligën Ballkanike
Ndeshja e vlefshme për Ligën Ballkanike, mes Pejës dhe Prishtinës është mbyllur me fitoren e pejanëve me rezultat 87:84.
Kjo përballje ishte e balancuar dhe skuadrat luftonin për epërsinë, me Prishtinën që ishte para për një kohë më të gjatë.
Por 19 sekonda para fundit, kur Prishtina ishte në epërsi me rezultat 84:80, Justin Davis realizoi treshe.
Në aksionin vijues, topi erdhi te kroati Henrik Shirko, i cili u pengua nga dy lojtarë të Pejës, por sipas gjyqtarëve nuk kishte asgjë të parregullt.
Shirko humbi topin, që erdhi te Sadio Doucuore, që shënoi për 85:84 në të mirë të Pejës, pesë sekonda para fundit.
Pasoi reagimi i ashpër i trajnerit dhe i bankës së Prishtinës. Trajneri i Prishtinës u fut në parket dhe u afrua te gjyqtarët.
Gjyqtarët nga Mali i Zi e ndëshkuan me gabim teknik trajnerin kroat të Prishtinës, Jaksa Vulic, ndërkohë kryeqytetasit u tërhoqën nga ndeshja, për t’u kthyer pak minuta më vonë.
Larry Thomas i Pejës realizoi dy gjuajtjet e lira për dy tekniket, ndërsa Diamond Smith i Prishtinës kishte gjuajtjen e fundit për të barazuar, por nuk ia arriti dhe Peja fitoi 87:84.
Ndeshja u luajt në Gjakovë për shkak të telasheve teknike në palestrën në Pejë, e ku të pranishëm ishin dy grupet e tifozëve, ndërsa kishte tensione edhe në tribuna.
Komentet janë të mbyllura.