Prishtina arrin fitore të lehtë ndaj Plevlës në Ligën Ballkanike
Sigal Prishtina ka shënuar fitore të thellë në ndeshjen e gjashtë të Ligës Ballkanike (BIBL).
Të enjten mbrëma në “ADA Sport Centre” në Mal të Zi, Sigal Prishtina mposhti Plevlën me rezultatin 95:72.
“Bardhekaltrit” pavarësisht mungesave të shumta, ishin dominues në parket që nga fillimi i ndeshjes.
Çerekun e parë e fituan me rezultatin 37:18, ndërsa periudhën e dytë e fituan me një pikë epërsi 16:15, për të shkuar në pushim me 20 pikë epërsi, 53:33.
Epërsinë e lartë, prishtinasit e mbajtën edhe në çerekun e tretë duke e fituar atë me rezultatin 19:18.
Dhjetë minutëshi i fundit u mbyll me rezultatin 23:21 në të mirë të “bardhekaltërve”.
Më i miri te mysafirët në këtë fitore ishte Diamond Stone, që shënoi 29 pikë, shtatë kërcime e dy asistime.
Shaheed Davis dha kontribut të madh po ashtu me 18 pikë, gjashtë kërcime e tri asistime.
Lojë të mirë te vendësit pati Darius McNeill, që shënoi 24 pikë, katër kërcime e dy asistime.
Me këtë fitore, Prishtina tani ka dhjetë pikë në vendin e tretë, aq sa ka edhe Peja në pozitën e katërt.
Sigal Prishtina e Peja kanë nga katër fitore e dy disfata.
Lider është AEL-i qipriot me pesë fitore e dy disfata.
Me 12 pikë në vendin e dytë është skuadra tjetër e Malit të Zi, Lovqeni, që ka katër fitore e po aq humbje.
Plevla është e fundit me shtatë disfata. /Koha/
Komentet janë të mbyllura.