Basketboll

Ylli fiton në Therandë, kampioni vendoset në “Minatori”

 

Golden Eagle Ylli ka barazuar serinë finale në 2:2, ku titulli do të vendoset të enjten në Mitrovicë.

Therandasit fituan ndaj mitrovicasve me rezultat 75:71 (13:15, 16:18, 20:13, 26:25), në një ndeshje mjaft interesante.

Të dy skuadrat treguan dëshirën e madhe për të fituar nga fillimi i ndeshjes, ku çereku i parë ishte i barabartë me ‘Xehetarët’ që kishin deri në katër pikë epërsi, derisa kjo pjesë përfundoi 13:15. Lojë e barabartë u zhvillua në periudhën e dytë, ku mysafirët kishin deri në gjashtë pikë epërsi, derisa pjesa e parë përfundoi 29:33.

Megjithatë, Ylli rikthehet fuqishëm në periudhën e tretë, për të përmbysur shifrat në 40:38, derisa rezultati pas 30 minutash ishte 49:46. Therandasit u shkëputën edhe më shumë në dhjetë minutat e fundit, ku kishin epërsi deri në 12 pikë, 64:52, dhe deri në fund nuk e lëshuan epërsinë, duke triumfuar 75:71.

Te vendasit u dalluan Jalen Nesbitt me 15 pikë e nëntë kërcime dhe Alonzo Verge JR me 27 pikë, gjashtë kërcime e shtatë asistime, kurse te mitrovicasit u dalluan Kevin Capers me 17 pikë, pesë kërcime e gjashtë asistime, Dardan Kapiti me dhjetë pikë e 11 kërcime dhe Darnell Edge me 15 pikë e gjashtë kërcime.

Komentet janë të mbyllura.