NËSE SHPALLET KAMPIONE TREPÇA KALON NË VENDIN E DYTË
Prishtinë(AsistiOnline) – Dueli midis dy skuadrave që po synojnë të kthejnë titullin e kampionit në sirtarët e vet, Trepça pas plot 12 vjetëve dhe Ylli pas dy edicioneve ka shumë simbolika dhe statistika interesante.
Fakt interesant është se stolisja e Trepçës me titull kampioni sivjet, jo vetëm se do ta kthente trofeun në Minatori pas plot 12 vjetëve por njëherësh Trepça do ta kalonte rivalin e madh Pejën në listën e skuadrave më të trofeshme të basketbollit të pavarur të Kosovës nga pavarësimi i basketbollit kosovar në edicionin 1991/92 duke u stolis me trofeun e 16, shkruan AsistiOnline.com
Aktualisht, Peja dhe Trepça e ndajnë vendin e dytë me nga 15 trofe.
Peja ka 6 tituj kampioni (1993/94, 1994/95, 1995/96, 2004, 2013, 2023), 6 Kupa (1994,1995, 1997, 2011, 2015,2020), 2 Superkupa (1997, 2015) dhe një titull kampioni të Ligës Unike (2022).
Trepça e ka barazuar numrin e trofeve me Pejën në 15 pasi viteve të fundit ishte shumë e suksesshme duke fituar 6 trofe nga viti 2022 kur në krye të skuadrës erdhi kryetari Vulnet Sefaja me ekipin e tij dhe pasi në skuadër ktheu lojtarin e trofeve, Drilon Hajrizin. Për tri vite, Trepça nga skuadra e cila po luftonte për mbijetesë në Play Out dhe skuadra e cila kishte përjetuar dy prej edicioneve më të këqija në histori të klubit u rilind dhe iu kthye sukseseve duke u stolisur tre herë rresht me epitetin e fituesit të Kupës së Kosovës (2022, 2023, 2024), një herë e fitoi Superkupën Mbarëkombëtare të Shqiptare (2022), një herë triumfoi në Superkupën e Kosovës (2023) dhe së fundmi u stolis me titullin e kampionit të LIgës Unike (2024).
Aktualisht me 4 tituj kampioni (1992/93, 1999/2000, 2000/01, 2011/12), 7 Kupa (1993,2000, 2004, 2012, 2022, 2023, 2024), 2 Superkupa të Kosovës (2002, 2023), një Superkupë Mbarëkombëtare (2022) dhe së fundmi titullin e Ligës Unike të fituar në Vlorë, në mars të këtij viti, xehetarët kanë fituar totalin prej 15 trofeve duke e barazuar rekordin e Pejës.
Duke fituar Superkupën e Kosovës, Kupën dhe titullin e kampionëve të Ligës Unike, gjatë edicionit 2023/24 Trepça tashmë ka fituar tre trofeve dhe tash po synon që në thesarin e vet ta shtoi edhe trofeun e katërt për këtë edicion, atë më të çmueshmin që i mungon tash e 12 vjet: titullin kampion.
Mirëpo pengesë e madhe në realizimin e këtij synimi këtë është skuadra e Yllit e cila sivjet ishte skuadra më e papërshtatshme për mitrovicasit. /AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.