Basketboll

REVANSH I TREPÇËS APO REPRIZË E GOLDEN EAGLE YLLIT NË MINATORI?

Prishtinë(AsistiOnline) – Trepça dhe Golden Eagle Ylli kanë nga dy fitore secila në serinbë finale dhe kanë mbetur vetëm edhe 40 minuta para se të shpallet kampioni i ri i Kosovës në basketboll: Trepça për herë të pestë në histori dhe për herë të parë pas 12 viteve apo Golden Eagle Ylli për herë të tretë në katër vitet e fundit, shkruan AsistiOnline.com

Mos të harrojmë se ishte pikërisht Golden Eagle Ylli ai që parvjet ia mohoi titullin e kampionit Trepçës.

Finalja e sivjetme është reprizë e finales së parvjetme ku u ndeshën pikërisht këto dy ekipe dhe Ylli ishte më i suksesshëm me 3:1 në seri finale duke e mbrojtur titullin e fituar në vitin 2021 dhe shpall kampion për herë të dytë rresht.

Kësaj here, skuadrat në ndeshjen finale po hynë me rezultat baras (2:2) dhe këtu vend për gabim nuk ka , fituesi i fiton krejt do ta ngrit trofeun e çmueshëm 

TREPÇA DOMINOI TËRË EDICIONIN , YLLI FILLOI TË SHNDRIT ME ARDHJEN E MIJOVIQIT 

Nëse e shikojmë edicionin e sivjetmë Trepça e mbylli pjesën e rregullt si lider i pakontestueshëm me 25 fitore dhe vetëm 3 humbje.

Disfatën e parë mitrovicasit e pësuan nga Peja me 12 Tetor 2023 dhe të dytën nga Golden Eagle Ylli me 5 nëntor dhe atë në Minatori (68:71) pas vazhdimeve, që ishte disfata e vetme e Trepçës në shtëpi sivjet. 

Pas asaj humbje,  në Superligë, Trepça realizoi 21 fitore rresht pa humbje derisa nuk u takua sërish me Yllin në kuadër të xhiros së fundit të pjesës së rregullt t dhe therandasit i mposhtën përsëri me rezultat të ngushtë (81:79) kësaj here në Therandë duke ia ndërprerë serinë fantastike prej 21 fitoreve pa humbje në Superligë.

Përndryshe , Trepça pati një seri prej 28 fitoreve rresht pa humbje në gjitha garat, duke filluar nga triumfi ndaj skuadrës Gravellines në FIBA Europe Cup, pastaj 3 fitore në kuadër të Kupës së Kosovës ku Trepça e fitoi trofeun dhe më pas edhe 3 fitore në Final 8 të Ligës Unike ku gjithashtu u stolis me titull kampioni duke e mposhtur pikërisht Yllin në finalen dramatike me treshen e Darnell Edge-it në sekondat e fundit.

Ishte kjo fitorja e 28 rresht pa asnjë humbje në gjitha garat para se të vinte në këtë palestër ku me 4 Prill, Golden Eagle Ylli e mposhti dhe ia ndërpreu serinë fantastike prej 21 fitoreve rresht në Superligë apo 28 rresht në total në gjitha garat.

Pra, nga 5 humbjet e sivjetme në kampionat, Trepça i pësoi 4 humbje pikërisht nga Golden Eagle Ylli i cili me 5 nëntor mposhti Trepçën në Mitrovicë që ishte disfata e vetme sivjet në Minatori. 

Kështu, finalja vendimtare ka shumë simbolika e shumë statistika por një gjë nuk duhet harruar se Ylli përjetoj rilindje totale dhe po shfaq basketboll fenomenal që nga shkarkimit i trajnerit grek Flevarakis dhe ardhja e malazezit Mijoviq i cili këndelli therandasit dhe Ylli filloi të shndrit.

Në pjesën e rregullt nën komandën e Mijoviqit Golden Eagle Ylli fitoi 8 dhe humbi vetëm një ndeshje dhe atë nga Trepça në Minatori. Në Kupë, therandasit fituan një dneehje dhe pësuan në gjysmëfinale përsëri nga Trepça ndërsa në Final 8 Të Ligës Unike pas dy fitoreve në çerekfinale dhe gjysmëfinale, në ndeshjen finale ku u përballën sërish me mitrovicasit dhe ishin në prag që t’i mposhtin , megjithatë me treshen e Edghe në sekondat e fundit pësuan edhe një herë dhe humbën rastin të stolisën me titullin e Unikes. 

Në Play Off nga 11 ndeshjet e zhvilluara, Ylli eliminoi Bashkimin me 2:0, Pejën pas gjysmëfinales fantastike dhe dramatike me 3:2 dhe në finale aktualisht ka 2 fitore e 2 humbje me total prej 7 fitoreve dhe 4 humbjeve.

Nëse i mbledhim të gjitha, nga 4 Shkurti kur mori udhëheqjen e Golden Eagle Yllit, Mijoviq zhvilloi 24 ndeshje dhe nën komandën e tij Ylli arriti 18 fitore e 6 humbje.

/AsistiOnline.com/

 

Komentet janë të mbyllura.