Basketboll

Investimet e mëdha dhe riorganizimi i fuqishëm, rikthyen Trepçën tek sukseset

Prishtinë(AsistiOnline) – Një stinor me katër trofe, është ky bilanci i frikshëm i Trepçës në edicionin e sivjetm në basketbollin kosovar.

Gjithë këto suksese përpos stafit teknik dhe lojtarëve, janë meritë e të gjithë qytetit të Mitrovicës, por mbi të gjitha e investitorëve të rinj në klub të cilët e morën këtë klub buzë falimentimit dhe e dërguan në majat e basketbollit kosovar, shkruan AsistiOnline.com

Kryetari Vullnet Sefaja dhe nënkryetarit Lindrit Misini, e riorganizuan Trepçën fuqishëm duke afruar shumë sponsorë të fuqishëm, e të cilët gradualisht dhe me kohë ia rikthyen shkëlqimin ekipit të minatorëve.

Gjatë tri edicioneve të fundit prej se morën drejtimin e klubit, dje Sefaja dhe Misini u panë më të emocionuar se kurrë, duke qëndruar shumë të emocionuar për suksesin historik të Trepçës, fitimin e titullit kampion pas 12 vitesh.

Përpos garave vendore ku Trepça i luajti hiç më pak se të gjitha finalet, mitrovicasit u paraqitën edhe në garat ndërkombëtare, madje sivjet nga turneu kualifikues që e fituan në Estoni, arritën të kualifikohen në kompeticionin evropian, FIBA Europe Cup.

Vlen të ceket se në kohën kur e morën drejtimin e klubit dyshja Sefaja dhe Misini, Trepça i shpëtoi për pak rënies nga Superliga e pjesa tjetër është komplet storie suksesi, ku fillimisht në vitin e parë festuan një trofe, pastaj në vitin e dytë 2 trofe dhe në vitin e tretë (sivjet) plotë 4 trofe, derisa në total që nga ardhja e strukturës së re drejtuese, Trepça ka fituar plotë 7 trofe dhe njëkohësisht ka kaluar në vendin e dytë si një prej ekipeve më të trofeshme në Kosovë.

Sigurisht që tifozët e Trepçës duhet të jenë shumë të kënaqur dhe mbi të gjitha të bekuar që klubin e ka marrë përsipër një strukturë e tillë drejtuese të cilët s’po kursejnë asgjë nga vetja, vetëm e vetëm që Trepça të jetë e suksesshme dhe kjo po bëhet realitet.

/AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.