Yner Berisha çertifikohet nga Shoqata e Trajnerëve Përgatitjes Fizike dhe Kondicionit të Euroligës (ESCCA)
Prishtinë(AsistiOnline) – Për vitin e katërt me rradhë, sivjet është organizuar klinika e përgatitjeve fizike dhe kondicionale nga Shoqata e Trajnerëve të Kondicionit në nivel të Euroligës, nivel ky më i larti i përgatitjes fizike në basketboll në kontinentin e vjetër.
Kjo klinikë është mbajtur përgjatë 21 dhe 22 qershorit në Pragë të Republikës Çeke dhe pjesëmarrës i vetëm nga Kosova ka qenë, trajneri kondicional nga qyteti i Prizrenit, Yner Berisha i cili në Kosovë prej vitesh punon me klubet sportive dhe sportistët në nivel individual.
Pjesëmarrës në Samitin e 4-të ESCCA-s (Shoqata e Trajnerëve të Përgatitjes Fizike të Euroligës), ishin 16 profesionistë të programit për përgatitjet fizike, thënë më mirë shumica e më të mirëve në Evropë, derisa nuk mungonin edhe profesionistët nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Vlen të ceket se para 2 muajsh, Berisha vizitoi kompleksin e top-trajnerit turk dhe evropian (dy herë fitues i Euroligës me Anadolu Efesin), Ozan Sirkici, ku u njoftua nga afër me punën që ai bën dhe shkuarja në këtë klinikë e Berishës, erdhi me insistimin pikërisht të z.Sirkici i cili i rekomandoi këtë nivel.
Juan Trapero – Real Madrid, Dr. Adam Petway – Universiteti i Louisville, Kostas Chatzichristos – Fenerbahçe, Regev Fanan – Maccabi Tel Aviv, Roberto Iezzi – Pallacanestro Brescia, Federico Genovesi – Manchester City FC (gjiganti anglez i futbollit), Filip Ujaković – Cedevita Olimpija, Dani Moreno, PhD, CSCS – Joventut Bandalona, Jiří Welsch – Federata Ceke e Basketbollit e shumë të tjerë ishin pjesëmarrës në këtë samit.
Vlen të ceket se trajneri Berisha, së bashku me vëllaun e tij Ynemin, në qytetin e Prizrenit posedojnë palestrën private të quajtur ”BB Sportzone Academy”, ku punojnë me sportistë të fushave të ndryshme, derisa rëndësi të veçantë i kushtojnë basketbollit. Vëllau i Ynerit, Ynemi aktualisht është pjesë e shtabit teknik të Përfaqësueses së Kosovës A për femra, në rolin e trajnerit kondicional, derisa ka një mori suksesesh me Bashkimin e Prizrenit te femrat.
Yneri ka punuar ngushtë me trajnerin Adis Beçiragiq sa ai ishte pjesë e Golden Eagle Yllit, duke ushtruar rolin e trajnerit kondicional dhe vazhdimisht ndjek klinika lidhur me këtë profesion shumë të kërkuar në ditët e sotme.
Kuadro të tilla si Yneri dhe Ynemi i mungojnë shumë basketbollit kosovar, aq më tepër me pjesëmarrje në klinika të tilla, tek të cilat praktikohet kulmi i profesionalizmit dhe dihet se përgatitja fizike luan rolin më të madh në zhvillimin e një sportisti.
Komentet janë të mbyllura.