Basketboll

FBK njofton fillimin e Kampit të rradhës Nacional

Federata e Basketbollit të Kosovës ka njoftuar se ka filluar zyrtarisht kampi Nacional i Basketbollit, i organizuar nga ta në kuadër të projektit Youth Development Fund (YDF).

Ky kamp do të mbledhë fëmijët e lindur në vitet 2011-2012 dhe do të zhvillohet në ambientet e Gjimnazit Loyola në Prizren, nga data 8 deri më 13 korrik 2024.

Sipas njoftimit të FBK-së, kampi nacional i këtij viti përfshin një program të gjerë trajnimi, i cili është i dizajnuar për të ndihmuar në zhvillimin dhe përmirësimin e aftësive basketbollistike të pjesëmarrësve. Fokusi kryesor i trajnimeve do të jetë në teknikat themelore të basketbollit, zhvillimin e aftësive individuale dhe kolektive, si dhe në nxitjen e shpirtit të garës dhe bashkëpunimit ndërmjet fëmijëve.

Kjo iniciativë ka për qëllim jo vetëm përmirësimin e aftësive teknike, por edhe zhvillimin e vlerave të rëndësishme si disiplina, përkushtimi dhe respekti për sportin dhe shokët e skuadrës.

Synimi kryesor i Kampit Nacional është të kontribuojë në formimin e fëmijëve si lojtarë të ardhshëm potencialë për ekipet kombëtare të Kosovës. Duke i ekspozuar ata ndaj një ambienti profesional dhe trajnimeve intensive, FBK synon të identifikojë dhe të kultivojë talentet e reja që do të përfaqësojnë vendin në garat ndërkombëtare në të ardhmen.

FBK edhe më herët ka formuar kampe të tilla, por rezultatet nuk është që janë parë shumë e mbetet të shihet se cili do jetë rezultati i tij.

Komentet janë të mbyllura.