Basketboll
photo by: @Shpend Ahmeti

Ekskluzive: Prishtina kombinon përvojën me talentin, kompleton rosterin për edicionin e ri

Prishtinë(AsistiOnline) – Prishtina si klubi më i trofeshëm i basketbollit kosovar është gati ta nis sezonin e ri me një ndryshim strategjik të rëndësishëm, duke kombinuar talentet e reja premtuese nga qyteti dhe përvojën e lojtarëve të njohur. Ky ndryshim synon të sjellë energji të re dhe sukses të ri në arenën e basketbollit kosovar.

Nën drejtimin e trajnerit turk Murat Bilge, Prishtina ka bërë një ndryshim të madh në organizimin dhe strukturën e skuadrës. Bilge pritet të sjellë një qasje të re dhe metodologji moderne në stërvitje, duke besuar se do të vendosë një strukturë të fortë dhe disiplinë në skuadër. E te Prishtna janë të bindur se kjo qasje ka krijuar një ambient të përshtatshëm për zhvillimin e talenteve të rinj dhe shfrytëzimin maksimal të përvojës së lojtarëve më në moshë.

Në përbërjen e skuadrës së re të Prishtinës, pritet të ketë një kombinim të lojtarëve të rinj perspektivë dhe lojtarëve me përvojë të madhe. Talentët si Jon Ismajli, Bardh Istrefi, Adhurim Aliaj, Eliot Peci, Ardian Ibishi, Orges Shatri, Ensar Berisha, Eljon Reka e Renat Sylejmani, që janë integruar në skuadrën e Prishtinës, duke sjellë një frymë të re dhe energji të freskët. Këta lojtarë të rinj do të mbështeten nga përvoja dhe lidershipi i figurave të njohura si Daniel Lekndreaj, Fisnik Rugova dhe Muhamedali Janjeva.

Përpos lojtarëve vendorë te Prishtina pritet të zbarkojnë edhe 4/5 lojtarë të huaj në varësi nga kërkesat e shtabit teknik.

Drejtuesit e klubit besojnë se ky kombinim i rinisë dhe përvojës ka për qëllim të sjellë një balancë të fortë në skuadër dhe të shtyjë përpara për suksesin e klubit. E nën udhëheqjen e Bilge, Prishtina synon të rikthejë gradualisht trofetë dhe të përfaqësojë me krenari kryeqytetin në skenën e basketbollit kosovar dhe më gjerë.

Përkushtimi i klubit për të ndërtuar një skuadër të qëndrueshme dhe të fuqishme me vendorë, është reflektuar në përzgjedhjen e lojtarëve dhe organizimin e përgatitjeve. Te Prishtina besojnë se me një strukturë të mirëorganizuar dhe një fokus të qartë në zhvillimin e talenteve dhe shfrytëzimin e përvojës, ekipi është gati për të sfiduar çdo kundërshtar dhe për të sjellë emocione dhe suksese në sezonin e ri. /AsistiOnline.com/

 

Komentet janë të mbyllura.