Basketboll

S’lajmërohet asnjë kundërkandidat, Fetahu pritet të rizgjedhet në krye të FBK-së

Pak minuta më parë, ka përfunduar afati zyrtar për të nominuarit eventual për kryetar të FBK-së.

Njoftimi zyrtar i FBK-së i publikuar çaste më parë ka lënë të nënkuptohet se Fetahu nuk do të ketë kundërkandidat për pozitën e kryetarit dhe pritet të rizgjidhet në këtë detyrë.

“Në bazë të nenit 8 të Rregullores së Punës së Kuvendit të FBK-së dhe nenit 26 të Statutit të FBK-së, të gjitha klubet dhe shoqatat e licencuara e kanë nominuar kryetarin aktual, Arben Fetahu, për një mandat të ri katërvjeçar. Po sot ka përfunduar edhe afati për dorëzimin e autorizimeve për delegatë të Kuvendit të FBK-së, sipas neneve 14, 15 dhe 16 të Statutit të FBK-së”, shkruan njoftimi i FBK-së.

Kuvendi i Rregullt Zgjedhor do të mbahet më 30 gusht nga ora 17:30 në Prishtinë, me rendin e ditës si më poshtë:

1. Zgjedhja e trupave punues:
· Kryesia e punës;
· Komisioni verifikues;
· Procesmbajtësi.
2. Aprovimi i procesverbalit nga mbledhja e Kuvendit të Punës, e datës 13.03.2024;
3. Prezantimi i kandidatëve për Kryetar të FBK-së (secili kandidat ka kohë deri në 10 minuta);
4. Votimi për Kryetar të FBK-së;
5. Votimi për anëtarët e Bordit të FBK-së;
6. Votimi për anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të FBK-së;
7. Të ndryshme.

Duhet theksuar se, sipas nenit 14 të Statutit të FBK-së, Kuvendin e Federatës e përbëjnë delegatët e autorizuar të anëtarëve të Federatës dhe Kryetari i Federatës.
Numri i delegatëve të ftuar në Kuvend është si vijon:

· Klubet e Superligës për Meshkuj – 2 delegatë;
· Klubet e Superligës për Femra – 1 delegat;
· Klubet e Ligës së Parë në konkurrencën e meshkujve – 1 delegat;
· Shoqata e Trajnerëve të Basketbollit – 1 delegat;
· Shoqata e Gjyqtarëve të Basketbollit – 1 delegat;
· Shoqatat tjera të basketbollit të pranuara në Federatë – 1 delegat.

 

Komentet janë të mbyllura.