Basketboll

Zyrtare: Anes Gashi kapiten e Drilon Hajrizi mbetet te Trepça

Prishtinë(AsistiOnline) – Ditëve të fundit ka pasur spekulime të ndryshme lidhur me shiritin e kapitenit tek kampionia aktuale e Kosovës, Trepça.

Megjithatë tërë këto spekulime duket se janë shuar sot, pasi kryesia e klubit mitrovicas ka arritur marrëveshje me palët e përfshira për këtë ‘sagë’.

Klubi mitrovicas ka njoftuar zyrtarisht se kapiteni i ri i skuadrës është emëruar Anes Gashi, derisa Drilon Hajrizi e ka liruar këtë pozitë pasi do jetë jashtë parketit edhe për disa muaj të tjerë për shkak të rikuperimit nga problemet shëndetësore që ka pasur kohëve të fundit.

”Të nderuar dashamirë e simpatizant të Klubit. Ju informojmë se me vendim të Bordit të klubit, kapiten është emëruar Anes Gashi. Drilon Hajrizi është pjesë e Trepçës. Ne i urojmë shërim sa më të shpejtë dhe rikthimin e tij në parket”, shkruan njoftimi i klubit mitrovicas.

Lidhur me shiritin e kapitenit te Trepça ka pasur pakënaqësi të shumta nga tifogrupi mitrovicas ”Torcida” të cilët kanë dalë kundër edhe zyrtarisht me një reagim. /AsistiOnline.com/ 

Komentet janë të mbyllura.