Xhiro e vikendit sjell tri ndeshje, njëra është shtyer!
Fundjava pritet të sjellë super ndeshje në elitën e basketbollit, ku zhvillohet xhiroja e nëntë e Superligës.
Dueli i parë dhe derbi i kësaj xhiro zhvillohet sonte ndërmjet Golden Eagle Yllit dhe Trepçës, apo finalistëve të “Play-off”-it të edicionit të kaluar, ku ‘Xehetarët’ kishin fituar 3:2 në serinë finale. Therandasit kanë pesë fitore e tri humbje, ndërsa mitrovicasit gjashtë fitore e dy humbje, andaj pritet një takim mjaft interesant. Në duelin e parë të këtij edicioni fituan mitrovicasit 77:67.
Përballje mjaft interesante shihet ajo ndërmjet Vëllaznimit dhe Bashkimit. Kuqezinjtë kanë tri fitore e pesë humbje, ndërsa prizrenasit shtatë fitore e një humbje. Humbjen e vetme e pësuan nga Trepça, fundjavën e kaluar. Sfidën e parë e fituan prizrenasit 72:51.
Të dielën do të zhvillohet takimi ndërmjet Proton Cable Prizrenit dhe Pejës. Prizrenasit kanë dy fitore e gjashtë humbje, ndërsa pejanët tri fitore e pesë humbje, andaj është një ndeshje shumë e rëndësishme për të dy skuadrat.
Ndeshja Bora-Sigal Prishtina është shtyrë me kërkesë të Sigal Prishtinës.
Superliga – Java 9
E shtunë
17:00 Golden Eagle Ylli – Trepça
19:00 Vëllaznimi – Bashkimi
E diel
19:00 Proton Cable Prizreni – Peja
Komentet janë të mbyllura.