KB Çair 2030 vazhdon të dëmtohet paturpësisht nga referimi në basketbollin maqedonas!
Klubi shqiptar i basketbollit në Maqedoni të Veriut – Çair 2030, duket se po përballet me një valë të padrejtësive që synojnë të zbehin imazhin dhe sukseset e tyre sivjet
Pas suksesit të madh në xhirot e para të ligës dhe organizimit të turneut për nder të Pavarësisë së Shqipërisë, klubit lider të Superligës atje deri para dy javësh, duket se i është hapur një front i ri pengesash, të cilat kanë marrë trajtën e gjykimeve të dyshimta dhe të një presioni të pashpjegueshëm nga strukturat e federatës së basketbollit maqedonas.
Sonte në palestrën “Shaban Tërstena”, Çair 2030 humbi me rezultat të ngushtë 91-95 kundër MK Kumanovës. Por ky rezultat, sipas drejtuesve të klubit, nuk pasqyron vetëm lojën në fushë, por edhe ndikimin e fortë të gjykimeve të padrejta dhe të njëanshme nga arbitrat.
Në një reagim të fuqishëm pas ndeshjes, klubi akuzoi treshen e arbitrave Zoran Mitrovski, Nikola Jakimovski dhe Jordan Çervenka për një dirigjim të qëllimshëm të ndeshjes kundër Çairit, të cilët, sipas tyre, janë të deleguar nga Federata e Basketbollit e udhëhequr nga Pero Antiç. Sipas Çairit, kjo nuk është hera e parë që këta arbitra marrin vendime të dyshimta kundër tyre, duke përmendur edhe ndeshjen e javës së kaluar kundër KK Pelister, ku gjykimet skandaloze ndikuan në humbjen e ekipit shqiptar.
Pas përfundimit të ndeshjes, klubi publikoi një deklaratë të fuqishme për tifozët dhe opinionin sportiv:
“Për fat të keq, ky nuk ishte një duel i drejtë sportiv, por një ndeshje e manipuluar nga arbitrimi i padrejtë dhe tendencioz. Gjykimi nga arbitrat Zoran Mitrovski, Nikola Jakimovski, dhe Jordan Çervenka ishte një tregues i qartë i prapaskenave që kanë për qëllim dëmtimin e klubit tonë. Të njëjtët arbitra dirigjuan edhe ndeshjen e javës së kaluar kundër KK Pelister, duke shkatërruar derbin dhe duke na privuar nga një garë e ndershme.”
Klubi falënderoi tifozët për mbështetjen e jashtëzakonshme gjatë ndeshjes dhe premtoi se do të rikthehen më të fortë në vazhdimësi.
“Duam të falënderojmë publikun tonë të jashtëzakonshëm që na mbështeti me shpirt gjatë gjithë ndeshjes. Ju kërkojmë ndjesë për këtë rezultat dhe ju premtojmë se KB Çair 2030 do të rikthehet më i fortë, duke luftuar për vendin që na takon me meritë!”
Deri pak javë më parë, Çairi udhëhiqte tabelën e Superligës së Maqedonisë, një arritje historike për një klub shqiptar. Por ky sukses duket se ka trazuar qarqe të caktuara në basketbollin maqedonas. Organizimi i turneut për Pavarësinë e Shqipërisë dhe suksesi i Çairit janë parë si një mesazh fuqizues për komunitetin shqiptar, por duket se kjo nuk është pritur mirë nga strukturat sportive maqedonase.
Skenarët e njëpasnjëshëm të padrejtësive dhe presionit të arbitrave janë tregues të një përpjekjeje për të dobësuar një klub që jo vetëm që përfaqëson basketbollin, por edhe krenarinë e shqiptarëve në Maqedoni.
Pavarësisht situatës, klubi ka premtuar që të vazhdojë të luftojë për të drejtën sportive dhe për vendin që i takon në tabelë. Me një mbështetje të madhe nga tifozët dhe komuniteti shqiptar, KB Çair 2030 synon të mbetet një simbol i rezistencës dhe fuqisë së basketbollit shqiptar në Maqedoni.
Komentet janë të mbyllura.