Keqpërdorime të parave në basketbollin kosovar, ka të arrestuar
Keqpërdorimet në sportin kosovar po vazhdojnë të jenë prezente.
Hetuesit policorë nga Drejtoria e hetimit e Krimeve Ekonomike dhe të Korrupsionit, respektivisht Sektori për hetime Financiare dhe hetuesit nga Njësia e Hetimit e Krimeve Ekonomike dhe të Korrupsionit në Prishtinë, i kanë iniciuar dy raste, njofton Policia e Kosovës, përcjell Gazeta Express.
Sa i përket basketbollit, rasti ka të bëjë me një grand të keqpërdorur nga zyrtarë të Komunës së Obiliqit, të cilin do t’ia ndanin një klubi fantom të basketbollit.
“Rasti i dytë: Hetuesit policorë nga Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit – Prishtinë, pas sigurimit të informatave dhe provave, nën dyshimin se të dyshuarit A. M., (viti i lindjes 1989, mashkull kosovar), në cilësi të kryetarit të Komisionit për Ndarjen e Grandeve, në komunën e Obiliqit, ka ndarë subvencion në vlerë prej 9,900.00€ për një klub basketbolli i cili dyshohet se ka qene jo aktiv. I dyshuari ka qenë themelues i atij klubi. Kurse e dyshuara A.A., (viti i lindjes 1977, femër kosovare), si monitoruese e implementimit të subvencioneve, ka përpiluar raport të rrejshëm.
Mbi bazën e gjetjeve është krijuar dyshimi se të dyshuarit kanë kryer veprat penale: ‘Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’ dhe ‘Konflikti i interesit’
Të dyshuarit e lartcekur janë intervistuar në prezencën e avokatëve mbrojtës dhe me aktvendim nga prokurori, i dyshuari A. M., është dërguar në mbajtje prej 48 orëve, ndërsa e dyshuara A.A., është liruar ne procedurë të rregullt”, përfundon njoftimi i Policisë.
Ka dyshime të mëdha se në basketbollin kosovar ka keqpërdorime të mëdha edhe nëpërmjet ligjit për sponsorizim./Express/
Komentet janë të mbyllura.