Kritikat për gjyqtarët e basketbollit kosovar: FBK ka dënuar disa prej tyre në xhirot e fundit
Xhirot e fundit në Superligën e Kosovës kanë qenë të mbushura me polemika për vendimet e gjyqtarëve nëpër ndeshje, dhe Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) ka ndërhyrë me masa disiplinore ndaj disa prej tyre.
Emra të njohur si Artan Gashi, Arian Kera (madje dy herë), Genc Vitaku dhe Arian Kurtalani janë ndëshkuar për vendime të kontestuara në parket. Përveç tyre, edhe vëzhguesi i ndeshjeve, Albert Verbiqi, ka marrë dënim nga FBK për mos kryerje të detyrës sipas rregulloreve.
Këto masa kanë ngritur debat në komunitetin e basketbollit: A po kërkon FBK standard më të lartë në arbitrim apo ka një krizë më të thellë të cilën po mundohet ta menaxhojë?
Teksa sezoni po hyn në fazën më të rëndësishme, sytë mbeten te gjyqtarët dhe ndikimi i tyre në ecurinë e kampionatit.
Vlen të ceket se të mërkurën luhet finalja e Kupës së Kosovës mes Bashkimit dhe Trepçës, e në komunitet qarkullojnë zërat se treshja: Xhelal Mumini, Artan Gashi dhe Eldin Uglari do të jenë treshja e gjyqtarëve që do të gjykojnë këtë takim.
/AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.