Basketboll

Nga të natyralizuarit rikthehet Myles, nuk ftohen Hajdari e Polloshka

Sot është publikuar lista me lojtarë e Përfaqësueses së Kosovës për ndeshjet parakualifikuese të Botërorit 2027 që do të zhvillohen gjatë datave 20-23 shkurt.

Selektori Jean-Denys Choulet ka bërë disa ndryshime në skuadër, duke përfshirë këtë herë amerikano-kosovarin e natyralizuar, Divine Myles. Ky vendim vjen pas paraqitjeve të zbehta të Dominic Artisit në ndeshjet e kaluara.

Divine Myles, i lindur më 25 shkurt 1996 në Alabama të SHBA-ve, është një organizator loje me gjatësi 180 cm. Aktualisht, ai luan për ekipin e Torun në ligën polake të basketbollit (OBL). Myles deri tani ka zhvilluar 16 ndeshje, duke regjistruar mesatarisht 13.6 pikë, 3.6 kërcime dhe 3.2 asistime për ndeshje. Ai ka një përqindje të saktësisë prej 51.9% në gjuajtjet për dy pikë, 40.0% në ato për tri pikë dhe 81.4% nga vija e gjuajtjeve të lira.

Përvoja e tij ndërkombëtare përfshin paraqitje në Francë, Gjermani, Kosovë (S.Prishtina, P.C Prizreni), Meksikë, Mongoli, Rusi dhe SHBA. Myles ka qenë pjesë e përfaqësueses së Kosovës edhe më parë. Me formën e tij aktuale në Poloni, pritshmëritë që ai të sjellë një ndikim pozitiv në skuadrën e Kosovës në ndeshjet e ardhshme parakualifikuese për Botëror 2027, janë tejet të mëdha.

Përveç kësaj, një nga ndryshimet e tjera në listën e publikuar është mungesa e Arti Hajdarit nga KB Peja, i cili ishte pjesë e ekipit në ndeshjet e nëntorit. Poashtu, një emër që ishte pritur të merrte ftesë ishte Don Polloshka i Vëllaznimit, i cili ka shkëlqyer këtë sezon me gjakovarët, por çuditërisht nuk gjendet në listën prej 14 lojtarëve të përzgjedhur nga Choulet.

Kosovës i duhet ti fitojë dy ndeshjet e këtij muaji, në mënyrë që të shpresojë kalimin në kualifikime nga vendi i dytë.

Tabela aktuale:

Komentet janë të mbyllura.